Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova”, ka kërkuar rritjen e tarifave prej 100% për ofrimin e shërbimeve të ujësjellësit.
Kjo kompani, në një përgjigje për Klankosova.tv, ka treguar edhe arsyet prapa kësaj kërkese.
KRU “Gjakova” thekson se kostoja e energjisë elektrike shton 20% e më tepër totalin e shpenzimeve.
“Kompania ka paraqitur zyrtarisht kërkesë për rritjen e tarifave në nivel prej 100%, si pasojë e rritjes së ndjeshme të kostove operative. Vetëm kostoja e energjisë elektrike aktualisht ndikon rreth 20% më tepër në totalin e shpenzimeve krahasuar me periudhat e mëparshme. Përveç energjisë, janë rritur ndjeshëm edhe shpenzimet për klor dhe kimikate të dezinfektimit, mirëmbajtjen e teknologjisë dhe mjeteve të punës, makineritë dhe riparimet teknike, si dhe pjesët fazonike dhe materialet e rrjetit”, ka thënë kjo ndërmarrje.
Ajo tha se edhe vënia në funksion e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura ka krijuar shpenzime të reja operative, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në pasqyrat financiare të dy viteve të fundit, pasi impianti është lëshuar rishtazi në punë.
