100 kadetë kanë përmbyllur me sukses përgatitjen profesionale dhe nga sot do t’i bashkohen Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK).
Në ceremoninë e diplomimit, drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, u bëri thirrje zyrtarëve të rinj që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, integritet dhe respekt për dinjitetin njerëzor, duke theksuar rëndësinë e tyre jo vetëm në garantimin e sigurisë dhe rendit, por edhe në proceset e rehabilitimit dhe riintegrimit të të burgosurve.
Dibrani, tha se kjo është dita kur një ëndërr, një përpjekje dhe një angazhim i gjatë marrin formë.
“Për ju, kjo është dita kur një ëndërr, një përpjekje dhe një angazhim i gjatë marrin formë. Por mbi të gjitha, kjo është dita kur ju bëni përsipër një përgjegjësi të madhe. Të jesh zyrtar korrektues nuk do të thotë të veshësh thjesht një uniformë. Do të thotë të mbash mbi vete besimin që institucionet e Republikës së Kosovës vendosin mbi ju”, tha Dibrani.
Ai theksoi se nga sot kadetët do të kenë përgjegjësinë për garantimin e sigurisë, rendit dhe disiplinës në institucionet korrektuese.
“ Nga dita e sotme, ju do të jeni ata që do të garantoni sigurinë, rendin dhe disiplinën në institucionet tona korrektuese. Por puna juaj do të jetë shumë më tepër se kaq.
Ne kemi një mision më të gjerë. Ne duhet të garantojmë sigurinë, por njëkohësisht të krijojmë mundësi për rehabilitim, riintegrim dhe ndryshim. Sepse për çdo person që hyn në një institucion korrektues, duhet të ekzistojë mundësia që një ditë të kthehet në shoqëri si njeri i doreshëm për shoqërinë dhe i përgjegjshëm. Dhe në këtë proces, roli juaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, u shpreh ai.
