Këtë të diel janë bërë plot 10 vjet nga momenti kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.
Më 3 gusht 2015, me 82 vota për, 5 kundër dhe një abstenim, deputetët dhanë dritën e gjelbër për themelimin e kësaj gjykate, duke lejuar Qeverinë që të procedonte me dy projektligje të tjera që lidhen me funksionimin e saj. Fillimisht, qëllimi ishte të trajtoheshin pretendimet për krime lufte dhe trafikim organesh, të ngritura në raportin e Dick Martyt. Por, pas një dekade, shumë nga këto pretendime nuk janë më pjesë e hetimeve.
Gjatë kësaj periudhe, Gjykata me seli në Hagë ka arrestuar disa nga figurat kyçe të luftës dhe politikës në Kosovë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndaj të cilëve procesi gjyqësor është ende në zhvillim.
Disa ish-pjesëtarë të UÇK-së tashmë janë dënuar. Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burg për krime lufte. Ish-komandanti Salih Mustafa fillimisht u dënua me 26 vjet, por më pas Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 22, dhe më vonë në 15 vjet.
Ndërkohë, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj nga Organizata e Veteranëve të Luftës u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas avokatit Ardian Bajraktari, që përfaqëson një nga të akuzuarit, Gjykata nuk ka arritur të dëshmojë akuzën kryesore – atë të “Ndërmarrjes së përbashkët kriminale”. Ai thotë se nga muaji shtator do të fillojë faza e dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtjes, që pritet të çojë drejt përmbylljes së procesit.
“Prokuroria nuk ka arritur të argumentojë ndonjë lidhje konkrete që mbështet këtë akuzë kryesore. Ne presim që në shtator të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes dhe të ecet drejt përfundimit të procesit,” tha Bajraktari.
