Labinot Tahiri: Që nga viti 2004 i deklaroj tatimet në Kosovë, turp do të ishte të mos kontribuoja për shtetin tim
Këngëtari dhe ish-deputeti Labinot Tahiri ka deklaruar se prej më shumë se dy dekadash i kryen rregullisht obligimet tatimore në Kosovë, duke thënë se kontributi ndaj shtetit është detyrim moral për secilin qytetar.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se tatimet i deklaron që nga viti 2004, kur Kosova ende nuk ishte shtet i pavarur, duke theksuar se ndihet krenar që kontribuon në ndërtimin e institucioneve.
“Prej vitit 2004 deklaroj për shtetin tim kur Kosova ende nuk e kishte Pavarësinë e saj. Unë turpërohem nëse nuk kontribuoj”, ka shkruar ai.
Tahiri ka kujtuar edhe periudhën para luftës, duke thënë se dikur ka shitur cigare për të siguruar jetesën, ndërsa sot, sipas tij, është e natyrshme që çdo fitim i realizuar të shoqërohet me përmbushjen e detyrimeve ndaj shtetit.
“Dikur nuk kemi pasur shtet, e unë para luftës kam shit cigare dhe sot nëse e kam bërë një para, pse mos me i kry obligimet ndaj shtetit”, është shprehur ai.
Në reagimin e tij, këngëtari u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht mërgimtarëve, që të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën jo vetëm me investime, por edhe përmes respektimit të obligimeve ligjore.
Ai ka theksuar se shteti nuk mbahet vetëm nga politika, por edhe nga qytetarët që kontribuojnë me përgjegjësi, duke nderuar kështu edhe sakrificën e atyre që luftuan dhe punuan për lirinë e Kosovës.
Në fund të postimit, Tahiri ka përmendur figura të rëndësishme të historisë së Kosovës, si Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Albin Kurti, Adem Demaçi, familjet Jashari e Haradinaj dhe shumë të tjerë, duke vlerësuar kontributin e tyre për shtetin dhe duke bërë thirrje që brezat e rinj ta ruajnë dhe ta forcojnë Kosovën përmes punës dhe përgjegjësisë qytetare.