Më 18 prill 1999 forcat paramilitare serbe dhe policore në bashkëpunim me serbë vendorë, në Bërnicë, masakruan 6 anëtarë të familjes Reka: Fatmire Reka 45 -vjeç, nënë e gjashtë fëmijëve, dy vëllezërit Sabri Reka 35- vjeç dhe Nuhi Reka 28- vjeç, dy kushërinj të tyre, çiftin e sapomartuar Ajvaz dhe Afërdita Reka 22 dhe 17 – vjeç, Shehide Reka 65- vjeç dhe Qerkin Berisha 30 -vjeç. Vrasje këto në pragun e shtëpisë, madje me fëmijë nëpër duar. Ata që mbijetuan, për net të tëra u torturuan në një burg të improvizuar në një shitore të fshatit, shkruan GazetaDemos.
Ani pse njihej si një fshat multietnik, duket se familja Ejupi ishte halë në sytë e regjimit edhe para luftës. I mbijetuari i masakrës, Ejup Reka rrëfeu edhe kohën kur jetonin së bashku në Bernicë me serbët lokal të asaj kohe, pa e pasur iden se çfarë do t’i ndodhte pikërisht nga ta dhe serbët tjerë. Ejupi gjithashtu tregoi se ishte dikush i cili e kishte ndrojen rreth serbëve lokal të asaj kohe, ani pse jetonin në të njejtin vend. Bëhet fjalë për babin e tij, të cilin Ejupi e falenderoi për së vdekuri n’Demos.
“Ajo çka ishte si preferencë e babës, ishte ta lëshojmë fshatin. Ne ishim të përgatitur në të gjitha aspektet, ishim bë gati, kishim traktor, kishim mjetet tona dhe ishim në pritje. Para se të ishim sulmuar, dy javë ditë përpara, i larguam një pjesë të familjarëve tonë, siç ishin ata dy të ndjerët që i vranë. Babai ndjesë pasë këmbënguli që unë ta lëshojë vendin, dhe unë dhe vëllai Hashimi, nuk pranuam në asnjë mënyrë. Me asnjë çmim nuk dashta me ia kthy shpinën familjes”, tha ai.
Ejupi rrëfimin për masakrën barbare e vazhdon duke treguar kthimin e familjarëve përsëri në shtëpitë e tyre.
“Derisa i kishim jashtë ata (familjarët), ata (serbët) hezituan. Mirëpo, kur kuptuan se u kthyen atëherë papritmas me 18 prill…Bile unë i qortova ata kur u kthyen, i thash po pse-atij vëllait, pse erdhët, jemi përgatit edhe ne me e lëshu. “Oh vëlla, po vdesim në shtëpin tonë, po vdesim në shtëpinë tonë më tha”, shtoi ai.
Sipas deklaratave dhe dosjes së Ejupit që Demos posedon, thuhet se Ejupit i është thënë nga dikush prej komshinjëve serbë që mos ta lëshojnë fshatin, më pas konsiderohet që kjo kërkesë ishte e qëllimshme, sepse çdo lëvizje të tijen e kishin përcjell dy bashkëfshatarë serbë, të cilët më vonë janë përfshirë në masakrën e 18 prillit, filtet për Zhika Mitiç dhe Trajko Slavkovic, por si qëndron e vërtëta, flet vetë Ejupi.
“Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar mbrojtje prej tyre, asnjëherë s’kemi kërkuar ndihmë nga ta. Serbët lokal i sollën disa policë nga Serbia, sepse ishin aktivitetet e UÇK-së në terren dhe kinse kishin një lloj frike. Me të vërtet te ta u vërejke njëfarë provokimi. Konkretisht- kthehesha prej punës dhe dy serbë që unë nuk i njihja, nuk ishin të atij vend, kishin nxënë njëfarë rrugice të fshatit aty dhe qëllimisht njëfarë provokimi. Ata po e nxënë rrugën dhe unë përmes tyre…dhe të jeni të bindur derisa ka përfunduar ajo rrugica atje, janë kthy e me kanë shikuar anash…Përndryshe, te dytë ishin fqinjë tonë, i kemi njohur me emër e mbiemër, kanë qenë mësues aty, punonin në një shkollë në fshat aty. Këta kanë qenë ideologët, ekzekutorët, urdhëdhënësit e asaj masakre aty, por asnjëherë nuk kanë guxuar të dalin në sipërfaqe, kanë operuar përmes njerëzve tjerë që ne nuk i kemi njohur, siç dalin më vonë kush ishin ata. E vërteta është që çdo serbë i atij fshati ka qenë i veshur me uniformë të saj ushtrie rezervë dhe ka qenë i armatosur me armë”, shtoi Ejup.
Kush ishte në fshat në ditën kritike, në ditën e masakrës?
“Kanë qenë vetëm banorët e fshatit tonë dhe me sa e di unë, vetëm meshkuj kemi qenë atë ditë diku 23-24, por familjet tona kanë qenë të tërat aty, vetëm familja jonë paraprakisht u patë larguar pjesërisht nga aty, të tjerët ishim aty. Saktë nuk e di me numër, por përafërsisht 50 banorë kemi qenë me fëmijë e me gra e me të gjithë aty. Përjashtim bënë te axha ka qenë i strehuar një dhëndër me dy fëmijë, ai ka qenë i një fshati te Podujevës dhe në ofenziven e Gllamnikut iu janë plagosur dy fëmijët…ai i shërojke të ne aty”
Zotri Ejupi në këtë masakër ka pësuar humbje të mëdha. Ai ka humbur bashkëshortën, dy vëllëzërit, kushërinjët. Por, si e përshkruan ai të tërën ditë kritike, 18 prillin e 1999-tës?
“Ne ishim në përcjellje të situatës, por për çudi nuk kemi vërenjtur kurrfarë ndryshmi, ka qenë një ditë e zakonshme si ditët e tjera. Si duket ata (serbët) në mbrëmje kanë marrë një vendim të tillë, kanë planifikuar atë sulm, do të thotë me datën 18 prill. Ne ishim në kujdestari deri vonë, nuk është vërenjtur që ka diçka. Në mëngjesë baba i ndjeri qohët herët dhe e vërenë një ndryshim. Përballë nesh janë kodrat, vendi jonë është në luginë…vërehën ushtarët serbë me snajper, e kishin rrethuar në veçanti shtëpinë tonë. Kemi qenë në të dya anët të rrethekuar me serbë, hermetikisht të mbyllur, dhe del baba në oborrë na lajmëron “Qonu se jemi rrethuar”. Ne në atë moment zbritëm, dhe ato konsultimet tona të atyre momenteve se çfarë të bëjmë. Ndërkohë, është dëgjuar një zë i serbit aty, ka gjuajtur në katin e lartë një granatë dore dhe ka thënë “dilni jashtë”, ne ishim brenda me fëmijë, me krejt. Atëherë kanë filluar me dalë në panikë, unë si më i fundit dola mos me kriju panikë dhe me i përcjellë të tjerët, besoni ka pasë njerëz që kanë dalë zbathur në atë ditë të ftohtë të prillit, ditë shumë e rëndë, me shi…dhe kur kemi dalë në oborrë atëherë kanë shkrep armët nga të gjitha anët”, tregoi Ejupi n’Demos për fillimin e masakrës.
Ejupi me një gjakëftohtësi gjithashtu rrëfen edhe momentin e rëndë kur e kuptoi që bashkëshortja e vëllai i tij ishin vrarë në sy të fëmijëve.
“Dola në oborrë e pashë, veç treguan që disa janë të vrarë. Djali dhe vajza e vogël e imja…i kishte pasë bashkëshortja e ndjera për dore, kur i bjen plumbi asaj në lulë të ballit, ajo bie para tyre, ata ikin dhe viejnë te unë dhe ma shpjegojnë. Ndërkohë, unë kuptoj që është vrarë edhe Sabriu (Vëllai i tij), kishte dy djemtë Petritin dhe Granitin në grykë, në plumbin e parë ai bien në dy gjunjët, e shkrepin edhe plumbin e dyt137 dhe ai ndërron jetë…djali Graniti, ka qenë afër 6-vjeçar dhe deri vonë i ka pasë disa pika në fytyrë…sigurisht, monicioni dum-dum ka eksplodu, për fat shpëtojnë gjallë ata. Pastaj, vritet edhe gruaja e axhës, në oborrin tonë. Plagoset edhe çika e axhë, fatëbardhësisht shpëton ajo, edhe pse një plagë shumë të rëndë në gjunjë”
Ejupi poashtu tha se fati në fatkeqësi ishte se shumë nga fëmijët e tyre, më vonë kur ai i kishte kontrolluar, i kishin ndërresat e shpuara, por për fat nuk e kishin pësuar më rëndë.
“Ishte një tmerr, të rrethekuar nga të gjitha anët nga hijenat të lloj-llojshme, edhe fqinjët tanë. E gjithë ushtria në oborrin tonë, filluan ato poshtërsitë që i bëjnë ata. E shikuan a kanë gratë dukat, të gjitha ato çka ishin ata të interesuar, maltretimet…fati e ka dashtë që nuk e kemi pësuar edhe më keq se që e kanë përjetuar edhe shumë të tjerë, me përjetuar edhe gjëra shumë të dhimbshme të përdhunimeve në prezencën tonë, nuk i qojë Zoti me bë atë, pse nuk e di, por ka mujtë edhe ajo me na ndodhë”, u shpreh ai.
/DEMOS/
Detaje se si u torturuan, si i vdiqën edhe pjesëtarë tjerë të familjes, mund t’i dëgjoni këtu: