Në vazhdën e vizitës në Shqipëri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetari Bekim Arifi, shefi i kabinetit, Ilir Kërçeli dhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, vizitoi sot qytetin e Lezhës.
Në Bashkinë e këtij qyteti kryetari Konjufca u prit në një takim të përzemërt nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal.
Duke e falënderuar kryetarin Ndreu për pritjen, kreu i Kuvendit të Kosovës u shpreh i nderuar që gjendet për vizitë në qytetin historik të besëlidhjes shqiptare dhe tani njëri nga vendet me resurse të veçanta turistike.
Kryebashkiaku Ndreu, nga ana e tij, e njohu kryetarin Konjufca për angazhimet e shtuara, me qëllim të përmirësimit të kushteve për turistët, veçanërisht pushuesit bregdetarë, të cilët, siç u tha, po i japin një hov të madh zhvillimin të turizmit.
Në takim u vlerësua se midis Kosovës dhe Lezhës tashmë është sendërtuar një lidhje e fuqishme, jo vetëm për shkak të vlerave historike që ofron Lezha, por edhe për faktin se bregdeti që shtrihet në këtë zonë vazhdon të mbetet pikë referimi për mijëra qytetarë të Kosovës gjatë sezonit së pushimeve.
Gjatë qëndrimit në Lezhë, kryetari Konjufca vizitoi edhe Memorialin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe vendosi lule pranë vendvarrimit të heroit kombëtar.
Pas nderimeve, kryetari Glauk Konjufca e konsideroi Lidhjen e Lezhës njërën nga tri ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, ndërsa Skënderbeun figurën më të rëndësishme përbashkuese për kombin shqiptar.
“Kam kënaqësinë të jem në Lezhë dhe të kemi një mikpritje vëllazërore nga kryetari i Bashkisë. Jemi këtu në njërin prej vendeve historike më të rëndësishme të kombit shqiptar. Kuvendi i Lezhës është njëra ndër tri ngjarjet më të rëndësishme të kombit tonë, ndërsa figura dhe personaliteti i heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, padyshim që është historikisht më e rëndësishmja për kombin shqiptar. Luftërat e tij të lavdishme por edhe qëndresa e tij madhështore, ndodhen në themel të identitetit dhe vetëdijes sonë kombëtare”, theksoi kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit të Kosovës shtoi se krahas historisë, qytetarët e Kosovës me Lezhën i lidhë edhe përditshmëria.
“Lezha është një vend shumë i dashur dhe turistik për qytetarët tanë, të cilët vijnë masivisht për pushime dhe këtu gjejnë një mikpritje e cila i frymëzon edhe më shumë për të ardhur në vitet e tjera”, tha kryetari Glauk Konjufca.