Deputeti i Partisë Guxo, Nezir Kraki sot në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova foli për seancën e fundit konstituive, duke thënë se nuk pati pazare, sepse siç u shpreh ai, qasja e Albin Kurtit nuk është “pazare”.
Kraki tha se ka pasur tentativa deri në momentin e fundit për të gjetur një zgjidhje.
“Pazare nuk ka pasur, sepse qasja e z.Kurtit nuk është dhe nuk do jetë asnjëherë pazarçe, të bëjë politikë pazare. Ajo ishte dita e fundit e afatit që e kishte caktuar Gjykata dhe pazare nuk ka pasur, por ka pasur tentativa deri në momentin e fundit që të gjendej një opsion dalës”.
“Ajo ishte krejt transparente, ne e bëm një seancë në ora 14:00 dhe kishte sinjale se ndoshta janë duke parë se shkonte treni i fundit, ndoshta në opozitë, tek humbësit do të zgjohej, do rritej pak doza, shkalla e vetëdijes, e përgjegjësisë politike e publike dhe përkundër tentimeve tona që të gjendej kjo vetëdije tek disa deputetë, nuk pati sukses dhe seanca e orës 22:00, menduan që ta tentojmë edhe njëherë, gjithçka ishte transparente”, u shpreh tutje ai.