Teknologji

Apple po e mendon ndryshe telefonin e palosshëm – dalin përmasat e para

Kanë dalë detaje të reja për madhësinë e ekranit të iPhone-it të palosshëm, i cili pritet të sjellë një qasje ndryshe nga ajo që kemi parë deri tani në treg.

Sipas raportimeve, Apple ka zgjedhur një koncept unik për telefonin e saj të ardhshëm me ekran fleksibël, duke u distancuar nga dizajnet e konkurrencës.

Informacionet e fundit, të publikuara nga burimi i besueshëm Digital Chat Station, tregojnë për përmasat e mundshme të pajisjes. Sipas thashethemeve, iPhone Fold – emri që po përdoret aktualisht për këtë model – pritet të ketë një ekran të brendshëm prej 7.7 inç dhe një ekran të jashtëm prej 5.5 inç.

Këto dimensione pritet të jenë pjesë e fushatës kryesore të marketingut, duke e prezantuar iPhone Fold si një telefon kompakt, të palosshëm, që mund të përdoret lehtësisht me një dorë.

Lansimi i këtij modeli është planifikuar për vitin 2026, ndërsa aktualisht ekziston një prototip funksional që ndodhet në fazën e testimit.

Më parë është raportuar se Samsung Display do të prodhojë ekranet e këtij modeli, ndërkohë që kompania ka arritur të zgjidhë problemin kryesor të pajisjeve të palosshme – shfaqjen e rrudhave në pjesën e palosjes. Detaje të tjera priten të zbulohen deri në fund të këtij viti.

Back to top button