KQZ certifikon rezultatet përfundimtare për 37 komuna, Istogu mbetet jashtë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme prezantoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve komunale të mbajtura më 12 tetor 2025 dhe të raundit të dytë më 9 nëntor, duke certifikuar rezultatet për 37 komuna të vendit.
Komuna e Istogut mbeti jashtë certifikimit për shkak të një vendimi të Gjykatës Supreme, e cila ka kthyer në PZAP për rivendosje ankesën e një kandidati për Kuvend.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, shpjegoi për komunën e Istogut: “Në këtë vendim të KQZ-së nuk përfshihet rezultati i zgjedhjeve për Kuvendin Komunal të Istogut, pasi Gjykata Supreme ka kthyer në PZAP për rivendosje ankesën e një kandidati për anëtar të Kuvendit të kësaj komune”, deklaroi Radoniqi.
Në fillim të mbledhjes, KQZ mori vendim për certifikimin e rezultateve përfundimtare për 37 Kuvendet Komunale, të mbajtura më 12 tetor 2025. Radoniqi sqaroi se ky vendim vjen pas konfirmimit nga PZAP se është përmbyllur procesi i ankesave për këto komuna.
“Rezultatet u certifikuan për këto komuna: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Podujevë, Prizren, Skënderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut”, tha kryetari i KQZ-së.
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, u ndal te procesi në Mitrovicë dhe deklaroi se PDK i beson vendimeve të organeve të drejtësisë.
“Në realitet, procesi në Mitrovicë do të duhej të shkonte në rivotim, por duke respektuar organet e drejtësisë, PDK i bindet vendimeve të tyre. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se procesi nuk do të ankimohet nga institucionet përkatëse. I bëj thirrje KQZ-së që të jetë e kujdesshme në pranimin e fletëvotimeve”, tha ai.
Më pas reagoi anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi, duke rikthyer në vëmendje rastin në Kllokot.
“Sa i përket komunës së Kllokotit, rasti është flagrant – shantazh, detyrim dhe përzierje e shtetit të Serbisë në Kosovë, duke e detyruar kandidatin të tërhiqet nga gara dy ditë para raundit të dytë. Për këtë arsye votoj kundër”,theksoi ai.
Anëtari tjetër i LVV-së, Alban Krasniqi, foli për gabimet teknike të evidentuara në Mitrovicë, duke thënë se reagimet ndaj tyre kanë shërbyer si mësim për të ardhmen.
“Pajtohem plotësisht me atë që tha Kurteshi. Sa i përket fletëvotimeve të shtypura gabimisht, kjo çështje do të kalonte pa tension, por ndoshta ka qenë e dobishme sepse pamë si duhet vepruar në raste të tilla. Gabimet teknike duhet të mos përsëriten. Në raundin e dytë pamë raste të votimit me asistencë që ndikuan në mandatet e fituara”, u shpreh ai.
Ndërkaq, anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, kërkoi që rasti në Mitrovicë të trajtohet me seriozitet.
“Nuk mund të trajtohet si një çështje thjesht teknike ajo që ka ndodhur në Mitrovicë. Ka pasur raporte të ngjashme edhe në komuna të tjera. Procesi ka pësuar degradim, pasi përgatitja dhe mbikëqyrja nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Nuk do të doja që ndonjë mandat të mbetet i kontestuar jo për shkak të vendimeve të drejtësisë, por për shkak të keqmenaxhimit të procesit”, tha ai.
Gjatë mbledhjes u bë edhe shpallja e rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 20 komunave. KQZ mori vendim për shpalljen e rezultateve përfundimtare të raundit të dytë, të mbajtura më 9 nëntor 2025, pas konfirmimit nga PZAP se procesi i ankesave për këtë ditë zgjedhjesh është përmbyllur.
Rezultatet u shpallën për këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Radoniqi sqaroi se “Pas shpalljes së rezultateve, duke filluar nga e premtja (21 nëntor 2025, ora 16:00), subjektet politike të certifikuara dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtyre rezultateve brenda 48 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”.