Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se Kosova ka nënshkruar Konventën e Lubjanës – Hagës, mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin e krimeve dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera ndërkombëtare.
Përmes një komunikate për media, MPJD ka thënë se konventa në emër të Qeverisë së Kosovës është nënshkruar nga amabasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami.
“Mbretëria e Belgjikës është shtet depozitar i Konventës së Lubjanës – Hagës mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera ndërkombëtare, ndërsa deri më tash nënshkrimi i saj është bërë nga më shumë se dyzet shtete të tjera” – thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Sipas njoftimit, qëllimi i Konventës së Lubjanës-Hagës është të lehtësojë bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet penale mes shteteve palë, me synimin për të forcuar luftën kundër mosndëshkimit për krimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe aty ku është e zbatueshme, krimeve të tjera ndërkombëtare.