Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim Raportuesin e ri për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Përmes një komunikate për media, Konjufca ka është shprehur i bindur se përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Terras si Raportues për Kosovën në PE do të ecim së bashku gjithnjë e më pranë qëllimit të integrimit në BE.
Sipas njoftimit, në këtë takim u diskutua pikërisht rreth kësaj aspirate të Kosovës për integrim që përkon me synimin e zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian.
“Bashkëbiseduesit u pajtuan se ky interes i përbashkët i një Evrope sa më të fuqishme, unitare e të bashkuar dhe që garantohet nga fondamenti vleror, është një pikëmbërritje që kërkon kontribut dhe angazhim të gjithashëm e nga të gjitha palët, por që mbetet domosdoshmëri sidomos në situatën ku na vendos kërcënimi që vjen nga pushtimi rus në Ukrainë dhe nga influencat e Rusisë në kontinentin tonë”, thuhet në njoftim.
“Kryekuvendari Konjufca e siguroi raportuesin Riho Terras se institucionet e vendit tonë, duke përfshirë edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë punën në adresimin dhe avancimin e çështjeve që kërkon rruga e integrimeve evropiane, por theksoi se kërcënimet e vazhdueshme të ardhura nga Serbia përbëjnë një sfidë të madhe të sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në komunikatë.
Sipas kësaj komunikate, Terras e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen.
“Ai shprehu angazhimin dhe gatishmërinë e tij të plotë për të asistuar Republikën e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar përparimin e deritanishëm që ka bërë vendi ynë, përfshirë edhe përkushtimin ndaj drejtësisë dhe arritjet në luftën kundër korrupsionit. Po ashtu, ai dënoi sulmin në infrastrukturën kritike të Kosovës në kanalin e Ibër-Lepencit, duke thënë se kriminelët duhet të japin llogari përpara drejtësisë”, thuhet mes tjerash aty.