Me moton “Le të festojmë ngjashmëritë tona”, ka filluar të mbahet edicioni i pestë i Festivalit Multikulturor.
Me ç’rast është bërë edhe ceremonia e shpërndarjes së çmimeve “Joanat e Kosovës për Përfshirje Sociale dje Drejtësi”, ku janë ndarë katër çmime për katër persona që vazhdimisht kanë kontribuar në të drejtat e komuniteteve.
Qëllimi i këtij festivali është ngritja e vetëdijes rreth sfidave e paragjykimeve që ekzistojnë ndaj komuniteteve.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, me këtë rast vlerësoi se festivalet janë mënyra më e mirë për të promovuar diversitetin.
Konjufca tha se do t’i përkrahin më shumë këto komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, duke shtuar se rezultatet tregojnë se këto komunitete kanë mbrojtje më pak sociale nga ana e institucioneve.
“Nuk ka formë më të mirë për të promovuar diversitetin sesa përmes këtyre festivaleve dhe përmes aktiviteteve artistike të ndryshme e kulturore. Kontributi i secilit pjesëtar të shoqërisë pavarësisht përkatësisë është thelbësor për ndërtimin e kohezionit social dhe forcon demokracinë në të njëjtën kohë. Më pëlqeu sidomos motoja që keni zgjedh këtë vit “Le të festojmë ngjashmëritë tona”, sepse vërtetë kjo është esenciale. Nëse nisemi prej dallimeve, ato do të na ndajnë, nëse nisemi prej gjërave të përbashkëta të cilat i ndajmë me njëri tjetrin, atëherë pikërisht këto gjëra do të na bashkojnë. Së pari jemi njerëz, qytetar të barabartë të Republikës së Kosovës, si njerëz i kemi të brenda shkruara të drejtat universale të njeriut që na takojnë të gjithëve, pastaj secili i gëzojmë të drejtat tona kushtetuese, e gëzojmë të drejtën me qenë të barabartë.
Mirëpo, nëse i shohim këto të drejta dhe shohim edhe statistikat vijë tek disa rezultate që nuk më duken të kënaqura. Rezultatet dhe përfundimet thonë që kur kemi të bëjmë me mirëqenien sociale, të drejtën dhe nivelin e punësimit në vend, nivelin e qasjes në arsimim të fëmijëve në shkollë, e sidomos vajzave, atëherë shohim se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, kanë mirëqenie më të dobët sociale, kanë mbrojtje më pak sociale nga ana e institucioneve”, tha Konjufca.
Konjufca tha se gjitha këto sfida mund të tejkalohen duke punuar bashkërisht, teksa shtoi se do ta kenë përkrahjen institucionale.
“Janë numër i madh i vajzave që nuk mund ta ndjekin arsimin fillor e të mesëm, e mos të flasim për punësimin e grave, që sidomos gratë e komuniteteve është e lartë e shqetësueses. Kjo do të thotë që duhet të festojmë natyrisht, por para së gjithave duhet të reflektojmë, duhet të kuptojmë më mirë pse po ndodhin këto, duhet ta luftojmë të gjithë së bashku. Ne që përfaqësojmë duhet të bëhemi bashkë me këto komunitete në mënyrë që t’i shohim të gjitha ato mangësi. Ato mund të tejkalohen vetëm nëse bashkëpunojmë, zhvillojmë aktivitete të përbashkëta”, tha Konjufca.
Drejtori ekzekutiv i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptas”, Isak Skënderi tha se festivali është thirrje për bashkëpunim dhe respekt ndaj njëri tjetrit.
“Festivali është thirrje për bashkëpunim dhe respekt ndaj njëri tjetrit. Besojmë në një botë që është pasuruar me deversitet dhe një botë që duhet të jetë më e pasur për gjithë neve. Ky është edicioni i pestë i festivalit tonë, këtë e bëjmë për qëllim të veçantë, që të ngrisim vetëdijen rreth sfidave, paragjykimeve dhe sterotipeve që ekzistojnë ndaj komuniteteve, rom, ashkalinjë dhe egjiptian. Ky festival ka për qëllim të ngris debatin në mes të shoqërisë tonë, mes aktivistëve, skenave politike dhe ajo ndërkombëtare rreth historikut, kulturës, vlerave e traditave që pasurojmë vendin tonë e na ofrojnë me njëri tjetrin. Gjatë punës tonë ndër vite kemi vërejtur se komunitetet paragjykohen për shkak asaj kush janë dhe nga vinë, këto paragjykime ndikojnë në cilësinë e jetës së këtyre njerëzve”, theksoi ai.
Skenderi tha se titulli i ccmimit “Joanat e Kosovës për Përfshirje Sociale dhe Drejtësi”, është frymëzuar nga aktivistja amerikane, e cila ishte grua që ka luftuar të rrisë një shoqëri të barabartë në shtetin e Amerikës gjatë viteve të 70-ta të shekullit të kaluar. Ai shtoi se në Kosovë ka shumë të tilla që me punën e tyre luftojnë pabarazinë.
Mes tjerash, Skenderi tha se Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka përkrahur vazhdimisht komunitetet.
Ndërsa, shef i Zyrës Zvicërane për Bashkëpunim në Kosovë Beate Elsässer, theksoi se ende ekziston një hendek arsimor ndërmjet mesatares së Kosovës dhe komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Teksa shtoi se ka edhe varfëri te këto komunitete.
“E kuptoj që ky festival në zemër të Prishtinës dhe më gjerë është kthyer në një traditë. Në tre ditët e ardhshme, do të kemi mundësinë të mësojmë për zanatet dhe të reflektojmë mbi gëzimin që diversiteti i kulturave sjell në jetën tonë. Ne gjithashtu do të dëgjojmë për sfidat me të cilat po përballen komunitetet në Kosovë, dhe përderisa shpesh diskutojmë për vështirësitë ekonomike dhe sociale dhe diskriminimin e komuniteteve pakicë, ndonjëherë harrojmë se shumë nga këto sfida janë të përbashkëta deri diku, pavarësisht nëse jemi romë, ashkali, egjiptianë, kosovarë apo të huaj…Ende ekziston një hendek arsimor ndërmjet mesatares së Kosovës dhe komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Ka varfëri më të lartë dhe mohim të aksesit të strehimit, por programi i tre ditëve të ardhshme do të na tregojë se ka shumë pika të përbashkëta dhe se ne mund të eksplorojmë ngjashmëri në të mirat dhe në ato gjëra jo aq të mira”, theksoi Elsässer.
Festivali do të organizohet edhe në komuna tjera, si në Obiliq, Kamenicë e Graçanicë.
Nga data 7 deri më 9 shtator, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, do të mbahet festivali i cili tenton të sjellë për publikun traditat, muzikën, ushqimin dhe veshjet e shumë kulturave në Kosovë.
Festivali do të ofrojë: muzikë, shfaqje artistike multikulturore dhe workshope kreative.