Ish-shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka pritur në shtëpinë e tij Ushtruesen e Detyrës së Ambasadorës së ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipatin, për një ngjarje të veçantë dhe plot emocione.
Tahiri tha se bashkë me gruan e tij e mikpritën Prattipatin për t’i dhënë lamtumirën mikut të tyre, Gregory Viola, i cili ka shërbyer në Kosovë për më shumë se tre vjet dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbështetje të zhvillimit të Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Tahiri shprehu mirënjohjen për Violet, duke thënë se “kurrë nuk duhet harruar se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Gregu dha një kontribut të jashtëzakonshëm duke i dhënë mbështetje të parezervë Kuvendit të Kosovës. Profesionalizmi, përkushtimi dhe miqësia e tij e sinqertë do të na mungojnë shumë e më së shumti Kuvendit të Republikës Kosovës.”
Në shtëpinë e Tahirit, përveç Anu Prattipatin, ishin të pranishëm edhe deputetët Abelard Tahiri nga PDK-ja, Arben Gashi nga LDK-ja, ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe Rrita Ismajli, të cilët, siç tha Tahiri, kanë punuar ngushtë me Gregory Violan, në Kuvend dhe Ambasadë.
“Po ashtu, sonte patëm nderin të mikpresim kolegët dhe miqtë tanë, deputetët Abelard Tahiri, Arben Gashi, ish-Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca dhe Rrita Ismajli, që kanë punuar ngushtë me Gregun, në Kuvend dhe Ambasadë, teksa ndamë një lamtumirë të ngrohtë dhe i uruam suksese në kapitullin e ri të jetës së tij,” shkroi Tahiri.
Ai falënderoi Gregory Violan për shërbimin e tij të çmuar dhe shprehu dëshirën për vazhdimin e marrëdhënieve miqësore dhe të ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Faleminderit për shërbimin tënd, Greg. Zoti të bekoftë ty dhe familjen tënde në gjithçka që ju pret përpara. Qoftë gjithmonë e fortë lidhja e miqësia mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës,” tha ai.