As java e parë e vitit të ri 2025 nuk ishte krejt e qetë për nga ngjarjet politike në vend dhe jo vetëm. Certifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet, aferat korruptive të Qeverisë Kurti dhe mosprezantimi i Kosovës në hartën e publikuar nga shefja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ishin disa nga ngjarjet kryesore.
Certifikimi i Listës Serbe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti. Ky vendim u prit mirë nga ndërkombëtarët, por jo edhe nga partia në pushtet – Vetëvendosjes.
Zyrtarëve të lartë të VV-së nuk iu ka pëlqyer vendimi i kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për të respektuar aktvendimin e Gjykatës Supreme, i cili kishte urdhëruar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Për këtë arsyeje, VV-ja dje ka dorëzuar në PZAP ankesë, duke kërkuar që të anulohet vendimi i KQZ-së.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu dhe koordinatorja e Komiteteve në VV-së, Dejona Mahli, kanë thënë se vendimi i KQZ-së për të certifikuar subjektin politik serb është i paprecedent.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, me propozimin e VV-së, Lista Serbe nuk ishte certifikuar nga KQZ-ja. Me pas, Lista Serbe për këtë vendim ishte ankuar në PZAP, i cili kishte pranuar ankesën e subjektit politik serb.
Vendimin e PZAP-së VV-ja e kishte ankimuar në Gjykatën Supreme. Edhe kjo e fundit kishte rrëzuar ankesën e VV-së dhe kishte urdhëruar KQZ-në për certifikimin e Listës Serbe. Duke u bazuar në këtë aktvendim, i pari i KQZ-së ka marrë një vendim për certifikimin e Listës Serbe. Një veprim i tillë po kontestohet nga partia në pushtet, e cila dje ka dorëzuar sërish ankesë në PZAP.
Afera korruptive
Në aferën 37 milionë euroshe që përshkruhet në dosjen e Prokurorisë Speciale ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, aty përfshihet hiç më pak se Këshilltari i Jashtëm i Albin Kurtit, Fisnik Korenica, i angazhuar për çështje të dialogut Kosovë-Serbi, ka raportuar mediumi Paparaci.
“Përfshirjen e tij të thellë në çështjet e energjisë elektrike e ka zbuluar deklarimi i pasurisë nga bashkëshortja e tij, që kishte deklaruar se ai kishte në pronësi një kompani që merrej me energji elektrike. Korenica ishte aksionar 50 për qind në një kompani që merrej me energji elektrike. Kjo kompani, tashmë ka kaluar në pronësi 100 për qind të Bardhyl Hasanpajat, njeriu i afërt me Vjosa Osmanin”, shkruan mediumi.
Ky raportim ka nxitur reagime të mëdha.
Harta ku nuk ekzistonte Kosova
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka fshirë postimin me videon të publikuar dje, në të cilën Kosova shfaqet brenda hartës së Serbisë.
Në atë njoftim ku Von Der Leyen njoftonte për hryjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në Zonën Schengen, videoja që ishte përdorur nuk e shfaqte edhe Kosovën si shtet.
Nga BE-ja kanë thënë se ato pamje janë larguar, sapo çështja e hartës ishte sjellë në vëmendje.
“Pamjet vizuele në llogaritë e mediave sociale të Komisionit Evropian, të cilat u publikuan për të mirëpritur Rumaninë dhe Bullgarinë si anëtarë të plotë të zonës Schengen, u hoqën nga të gjitha platformat sapo çështja u soll në vëmendjen tonë.” – ka thënë një zëdhënës i BE-së për Klan Kosova.