Lidhur me kërkesën për Republikën e Kosovës
Azem Vllasi thotë se paskan kërkuar Republikë te Titua. Ndërkaq Sonja Biserko thotë:
“Shqiptarët reaguan negativisht në kontestimin e pozitës së krahinave në federatë. Fadil Hoxha, përfaqësuesi i Kosovës në Byronë Ekzekutive të Kryesisë së LKJ, thekson se: askush nuk ka kërkuar që Kosova të jetë Republikë, e as të jetë jashtë Serbisë”. (Kovanje antijugoslovenske zavere, Knjiga I…Sonja Biserko, Beograd, 2006, fq. 17).
Elita serbe, më drejt estabilishmenti serb, në asnjë rast, gjatë shekullit XX, përveç një kohe të shkurtër dy – tri vjeçare, nese mund të mbështetemi te pohimi i Sonja Biserkos: se liberalët serbë, në krye me Marko Nikeziqin e Latinka Peroviqin ishin në gjendje të pranonin statusin e republikës për Kosovën në Federatën Jugosllave, sepse ishin të bindur që rryma politike për shkëputje të Kosovës jashtë Jugosllavisë, ishte mjaft e fortë, prandaj duhej bërë një zgjidhje parandaluese. (Po aty, fq. 10-13).
Sa i përket mendimit se ngjarjet e vitit 1981, u bënë shkas për të marr hov unitarizmi serb kundër Kosovës, Sonja Biserko thotë: “Koha do të tregoj se çfarë kuptimi dhe roli pati ky grup i profesorëve të Fakultetit Juridik, jo vetëm në kundërshtimin e karakterit federal të Jugosllavisë, por edhe në formulimin e qëllimeve të revolucionit antiburokratik të vitit 1989, i cili e shtyri Jugosllavinë në luftë të përgjakshme”.
Kurse Bajram Kosumi shton: “Për politikën unitariste serbe Kosova është shkas dhe mit i shpërdorur dhe jo qëllimi final. Sigurisht “qëllimi final” i serbëve do të ndodhte më lehtë pa Revolucionin 1981. Ndodhi e kundërta: Revolucioni 1981 u shërbeu shqiptarëve, po edhe të tjerëve, si sllovenëve, kroatëve, muslimanëve dhe më vonë edhe malazezëve për vetdijesim nga rreziku i unitarizmit serb dhe për përgaditje për luftën që po dukej në skenën jugosllave”.
(Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 372).
Shtypi përendimor në përkrahje të ngjarjeve të vitit 1981
Gazetat e mëdha si: “Frankfurter Allegemeine Zeitung” e Frakfurtit; ”Die Welt” e Berlinit; “Suddetutsche Zeitung” e Mynihut e shumë tjera, ju dhanë publicitet duke i përkrahur ngjarjet e vitit 1981.
Në Austri gazetat e mëdha si: “Kurier” dhe “Neue Kronen Zeitung”. Shumë shkrime në shtypin amerikan si “New York Times” etj.
Vlen të theksohet se asnjë gazetë e BRSS nuk i ka përkrahur demostratat e vitit 1981. Përkundrazi i kanë quajtur kontrarevolucion, ashtu siç i kanë quajtur edhe protestat e Solidarnostit në Poloni si kundërrevolucionare (Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 501.
Në raportin nr. 47 të Drejtorisë II, sektori i Evropës Perensimore të MPJ të Shqipërisë me titull “Mbi reagimet e SHBA dhe të disa vendeve perendimore ndaj ngjarjeve të fundit në Kosovë”, të datës 26 qershor 1981, nënshkruar nga ambasadori Nesip Kaçi, jepet një përmbledhje e reagimit të SHBA dhe të disa vendeve perendimore për demonstratat e Kosovës ku thuhet pos tjerash se “perendimi në përgjithësi i kundërvihet qeverisë jugosllave lidhur me problemet themelore që kanë të bëjnë me ngjarjet në Kosovë:
– Nuk pranon versionin jugosllav që i mohon Kosovës të drejtën e ligjshme për të fituar statusin e një republike në kuadrin e federatës me pretekstin se kjo do të qonte në prishjen e kësaj të fundit.
– Hedh poshtë pretendimet e autoriteteve jugosllave se në ngjarjet e Kosovës ka dorë Shqipëria.
– Ve në dukje se shqiptarët e Kosovës janë diskriminuar vazhdimisht dhe u janë mohuar të drejtat e tyre politike e demokratike dhe se kërkesa e tyre kryesore ka qenë gjithnjë shpallja e Kosovës republikë më vete.
– Kritikon faktin se krahina e Kosovës është lënë pas dore për sa i përket zhvillimit të saj ekonomik.
– Vë në dukje se pakënaqësia më e madhe në Kosovë është ajo kombëtare, që ka qenë me të vërtetë kërkesa kryesore në të gjitha revoltat dhe demonstratat e popullit kosovar, së cilës i shtohen kërkesat ekonomike, që së bashku përbëjnë një kombinim shumë të fuqishëm të revoltave kombëtare, ekonomike dhe shoqërore…. (Disa citate nga S.Syla: Dokumente diplomatike të Qeverisë Shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë).
Pjesë nga shkrimet e Ukshin Hotit për ngjarjet e vitit 1981
Pushteti komunist jugosllav e cilësonte politikisht këtë proces si një rikthim prapa, por e vërteta ishte se ky proces po niste një revolucion nacional dhe demokratik, sepse rrënimi i socializmit jugosllav dhe rrënimi i politikave jugosllave të shtypjes dhe shpërfytyrimit të shqiptarëve në Jugosllavi nuk ishte ‘kthim prapa’ (pra kundërrevolucion), por progres drejtë lirisë nacionale dhe politike, pra revolucion. (Ukshin Hoti: Filozofia politike e çeshtjes shqiptare, Prishtinë, artikulli “Viti ’81 dhe proceset e demokracisë”).
Duket se viti 1981 është nyja, zbërthimi i së cilës, e mundëson lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve. (Filozofia politike e çeshtjes shqiptare, Prishtinë, 1997).
“Demostratat e vitit 1981 e kishin shndërruar individin në qytetar aktiv, i gatshëm për tu vënë në ballë të shoqërisë në lëvizje, në kërkim të progresit shoqëror dhe lirisë” (Po aty).
Madje sipas Ukshin Hotit, viti 1981 është çelësi i shpjegimit të proceseve të mëvonshme demokratike, jo vetëm të shqiptarëve, po të të gjithë popujve (të bllokut socialist) qësynojnë një Evropë demokratike.
Disa nga “xhevahiret” e deklarimeve të përsonaliteteve politike shqiptare në Kosovë, të cilat i ka demantuar koha, historia…
Azem Vllasi:
Azem Vllasi, duke folur për ngjarjet e vitit 1981, thotë, se “Në fakt, në Kosovë ndodhi një ‘përpjekje për revolucion marksist – leninist’. (Azem Vllasi: Kosova, fillimi që nuk harrohet, Prishtinë, 2017, faqe 280-282).
