Ibish Neziri REZOLUTA 1244 DOKUMENT QË E KA VENDIN NË ARKIV Njëzet e shtatë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka ardhur koha që të rihapet një debat i shmangur për një kohë të gjatë: a vazhdon kjo rezolutë të ketë funksion real në jetën politike dhe juridike të Kosovës, apo i përket tashmë historisë së një periudhe të përfunduar? Kur u miratua më 10 qershor 1999, Rezoluta 1244 ishte produkt i një realiteti konkret politik dhe juridik. Lufta sapo kishte përfunduar, Federata Jugosllave (qoftë edhe mes dy shteteve Serbisë dhe Malit të Zi) ekzistonte ende dhe bashkësia ndërkombëtare kishte vendosur që në Kosovë të krijohej një administrim i përkohshëm ndërkombëtar.
Në ato rrethana, rezoluta kishte një objekt të qartë, një qëllim të përcaktuar dhe funksione konkrete që duhej të realizoheshin.
Megjithatë, normat juridike nuk jetojnë në vakum. Ato krijohen për të rregulluar situata të caktuara historike dhe politike dhe e marrin kuptimin e tyre nga lidhja me realitetin për të cilin janë hartuar.
Kur ndryshojnë rrënjësisht rrethanat, kur zhduken subjektet mbi të cilat është ndërtuar një regjim juridik dhe kur funksionet për të cilat ai është krijuar humbin arsyen e ekzistencës, lind natyrshëm pyetja nëse kemi të bëjmë ende me një instrument aktiv juridik apo me një dokument që mbijeton vetëm formalisht. Pikërisht kjo është dilema që shtron sot Rezoluta 1244.
Federata Jugosllave, së cilës rezoluta i referohej drejtpërdrejt, nuk ekziston më. Edhe bashkësia shtetërore Serbi-Mali i Zi, e krijuar më pas, i përket tashmë historisë.
Po aq rrënjësisht ka ndryshuar edhe Kosova. Ajo nuk është më Kosova e vitit 1999. Sot ajo ka kushtetutën e vet, institucionet e veta, parlamentin e vet, qeverinë e vet, policinë e vet, gjyqësorin e vet dhe mekanizmat e vet të përfaqësimit politik.
Në këto rrethana është e vështirë të argumentohet se Rezoluta 1244 vazhdon të ushtrojë funksionet për të cilat u krijua. Ajo nuk përcakton rendin juridik të Kosovës, nuk krijon institucionet e saj dhe nuk rregullon jetën e saj politike. Zhvillimet institucionale të vendit nuk burojnë nga kjo rezolutë dhe as nuk varen prej saj.
Argumenti që dëgjohet më shpesh në mbrojtje të vazhdimësisë së saj është se Rezoluta 1244 vazhdon të jetë në fuqi sepse nuk është shfuqizuar nga Këshilli i Sigurimit. Formalisht, kjo është e vërtetë. Mirëpo ekzistenca formale e një dokumenti nuk është e njëjta gjë me nevojën reale për zbatimin e tij. Historia e së drejtës njeh shumë dokumente që nuk janë shfuqizuar kurrë në mënyrë formale, por që prej kohësh kanë pushuar së qeni pjesë e jetës juridike. Ligji i Hamurabit nuk është shfuqizuar nga askush.
As Ligjet e Dymbëdhjetë Tabelave të Romës nuk janë pezulluar nga ndonjë autoritet bashkëkohor. Megjithatë askush nuk thirret sot në to për të rregulluar marrëdhëniet juridike të kohës sonë. Jo sepse janë ndaluar, por sepse ato i përkasin një realiteti historik të përfunduar.
E drejta nuk jeton vetëm nga ekzistenca formale e tekstit. Ajo jeton nga lidhja me realitetin. Kur kjo lidhje këputet, norma mbetet pjesë e historisë juridike, por pushon së qeni instrument i jetës juridike. Kjo logjikë vlen edhe për Rezolutën 1244. Debati nuk është nëse ajo ekziston ende në dokumentet e OKB-së. Debati është nëse ajo vazhdon të ketë funksion real në realitetin e sotëm të Kosovës.
Edhe ekzistenca e UNMIK-ut duhet parë në këtë kontekst. Ky mision u krijua si administratë e përkohshme ndërkombëtare për Kosovën. Në vitet e para pas luftës ai ushtronte kompetenca të gjera në administratë, drejtësi, polici dhe qeverisje.
