NË EMISIONIN «PIKË» TË VETON SURROIT NË «KTV» MË 29 MAJ 2025
Në mbrëmjen e 29 majit 2025 pata rastin që në KTV të dëgjoj intervistën që Veton Surroi i bëri regjisorit Agim Sopi në emisionin e tij “Pikë”. Që në fillim dua të theksoj se kam respekt për punën e z. Sopi si regjisor filmash dhe dramash, si dhe si autor i disa dramave të publikuara prej tij.
Mirëpo, ky respekt është i kufizuar vetëm në përmbajtjen kombëtare të veprave të tij, por jo edhe për nivelin artistik të tyre, i cili – në vlerësimin tim – endet diku mes amatorizmit dhe profesionalizmit.
Dikush mund të më kundërshtojë me arsyetimin se, duke mos qenë regjisor, nuk di ta vlerësoj punën e një regjisori, në këtë rast të Agim Sopit. Por unë, si një njeri që e ka të lindur pasionin për letërsinë, artin dhe kulturën, kam kultivuar një kulturë artistike të mjaftueshme për të vlerësuar një roman, dramë apo film. Sidomos kur është fjala për filmat që ka regjisoruar Sopi, të cilët, duke qenë përplot me shprehje të rëndomta të përditshmërisë, mund të vlerësohen jo vetëm nga profesionistët, por edhe nga laikët.
Njëanshmëria e parë: Fshirja e historisë së rezistencës
Në intervistën e tij, Sopi ua atribuoi të gjitha meritat për shtetformimin e Kosovës vetëm klasës politike të Fadil Hoxhës, Azem Vllasit, disa intelektualëve dhe një grushti artistësh të profileve të ndryshme. Ky vizion i cunguar është një fyerje për brezat e rinisë së vitit 1968 dhe të viteve ’70 e ’80, të cilët me demonstratat e tyre e sensibilizuan botën për çështjen e Kosovës. Është një përbuzje e mijëra të burgosurve politikë që u kalbën në burgjet e Jugosllavisë. Është një fyerje ndaj mijëra luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe një padrejtësi flagrante ndaj 2400 dëshmorëve të rënë për lirinë e saj. Fshirja e historisë së rezistencës paraqet njëanshmërinë e parë “patologjike” të Agim Sopit, të zbuluar në intervistën e tij dhënë Veton Surroit.
Njëanshmëria e dytë: Histori falsifikuese me erë të LKJ-së dhe Berishës
Sopi, pa asnjë fakt, deklaroi se Partinë Komuniste të Shqipërisë nuk e paskëshin themeluar shqiptarët, por Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviqi. Kjo është jo vetëm gënjeshtër historike, por edhe një shpifje e recikluar nga propaganda e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe e Sali Berishës. Edhe nëse Mugosha dhe Popoviqi kanë qenë të pranishëm në mbledhjen themeluese të PKSH-së – gjë që nuk vërtetohet nga asnjë dokument serioz – kjo nuk i bën ata themelues të saj. Përpjekjet e Sopit për të falsifikuar historinë e Shqipërisë socialiste sipas narrativës jugosllave dhe berishiane paraqesin njëanshmërinë e tij të dytë “patologjike”.
Njëanshmëria e tretë: Urrejtje personale ndaj Shqipërisë së asaj kohe
Sopi, me një mllef të pashpjegueshëm, sulmoi Shqipërinë socialiste për izolimin dhe diktaturën e saj, duke thënë se ajo e kishte zhgënjyer aq shumë, sa i kishte dhënë të drejtë gjyshit të tij ballist. Kjo qasje tregon jo vetëm mungesë njohurish për rrethanat gjeopolitike, por edhe dëshirën për ta denigruar Shqipërinë e asaj kohe, e cila – me gjithë të metat – e ruajti identitetin dhe sovranitetin kombëtar nën presionin greko-jugosllav.
