Deri më tani flamuri kombëtar shqiptar është djegur disa herë në qendër të Beogradit në Serbi dhe është djegur po ashtu disa herë edhe në qendër të Athinës në Greqi, si dhe është djegur njëherë nga tifozët serbë të futbollit edhe në Itali, derisa një ekip i futbollit i Kosovës po luante me një ekip të futbollit të një vendi të tretë.
Por, me sa duket këto djegie të flamurit të kombit shqiptar nga shovinistët serbë e grekë nuk paskan mjafuar, dhe qenka dashur që flamuri kombëtar shqiptar të përdhoset edhe nga disa djemë të mitur shqiptarë, që bukës i thuan bukë e ujit ujë!
Derisa në asnjë vend të Evropës nuk ka ndodhur që pjestarët një kombi ta përdhosin flamurin e tyre kombëtar, në Kosovë me 13 qershor të këtij viti ndodhi që për herë të parë disa shqiptarë ta përdhosnin flamurin e tyre kombëtar! Kur ndodhin gjëra të tilla të kobshme në popull thuhet se «Kijameti osht n`gat…!
Në ditet e para njerëzit e fshatit dhe të tjerët që kishin dëgjuar për aktin e shëmtuar, kishin dashur që atë ta «varrosnin» duke mos i dhënë publicitet. Por, kjo kishte qenë e pamundur sepse përdhosësit aktin e përdhosjes, veç e kishin përhapur në rrjetin anti-njerëzor të Tik-Tok-ut.
Ska dyshim se ky akt i shëmtuar ka irituar shumë qytetarë të denjë të Therandës, përfshi edhe kryetarin e Komunës së Therandës, z. Bali Muharremin, që është njëri nga kryetarët më të mirë të komunave të Kosovës.
Por, ata që me sa di unë nuk kanë reaguar fare janë familjarët (pridnërit) e përdhunuesve të flamurit. Ata deri më tani (për më shumë se një muaj ç`prej se fëmijet e tyre e kanë përdhosur flamurin), as nuk janë distancuar nga akti makabër i fëmijëve të tyre dhe as nuk kanë kërkuar falje për keq-edukimin e tyre.
Dhe ajo që s`ka lëvizuar fare është Gjykata dhe Prokuroria e Komunës së Therandës, e cila siç po flitet deri më tani as që i ka marr në pyetje përdhosësit e flamurit.