Një raport i një organizatës britanike The Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), që u prezantua të enjten nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një nga kritikat është roli i zgjeruar i gjyqtarëve, i cili – sipas raportit – rrezikon të cenojë parimin themelor të një gjykimi të drejtë: barazinë e armëve mes palëve.
Raporti vëren se gjyqtarët nuk po kufizohen në rolin e arbitrit neutral, por po ndërhyjnë aktivisht në ndërtimin e çështjes. Ata kanë bërë dhjetëra orë pyetje ndaj dëshmitarëve, shpesh përtej asaj që ka paraqitur vetë prokuroria. Në disa raste, sipas raportit, gjyqtarët kanë përdorur dokumente që nuk ishin pjesë e provave të pranuara, madje edhe materiale të marra nga interneti, pa njoftim paraprak për mbrojtjen. Një praktikë e tillë, thuhet në raport, “krijon kushtet që trupi gjykues të funksionojë si një prokuror i dytë”.
“Korniza e Dhomave të Specializuara i jep Trupit Gjykues një liri të konsiderueshme si përcaktues i fakteve dhe ligjit. Pa kufizime të qarta, kjo mund të krijojë kushte që Trupi të funksionojë si një ‘prokuror i dytë’, duke ndikuar në barazinë e armëve. Mbrojtja përballet jo vetëm me çështjen e Prokurorisë, por edhe me atë të Trupit Gjykues, me pasoja të qarta për burimet dhe strategjinë”, theksohet në raport.
Shqetësimet nuk janë vetëm teorike.
Të dhënat tregojnë një disproporcion të dukshëm: deri në nëntor 2024, gjyqtarët kishin kaluar 71 orë duke pyetur dëshmitarët – më shumë se secili ekip mbrojtës veçmas. Ndërkohë, mbrojtja është detyruar të shpenzojë mbi 31 orë shtesë për t’iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga vetë gjyqtarët, ndërsa prokuroria vetëm 12 minuta. Kjo pabarazi, sipas raportit, e vendos mbrojtjen në një pozitë strukturore të pafavorshme.
Një tjetër element problematik është mënyra e formulimit të pyetjeve. Sipas analizës së transkripteve publike, gjyqtarët përdorin shpesh shprehjen: “nuk dua të të vë fjalë në gojë, por…”, përpara pyetjeve që në thelb sugjerojnë përgjigjen. “Gjithashtu, në një rast, një anëtar i Trupit përdori një dokument të shkarkuar nga interneti pa njoftim paraprak për Mbrojtjen”, potencohet aty.
“Mbrojtja identifikoi se Trupi Gjykues nuk po testonte mjaftueshëm çështjen e Prokurorisë, se përdorte formulime që sugjeronin përgjigje, dhe se nxirrte prova përtej fushës së ekzaminimit të drejtpërdrejtë”, theksohet në raport.
Këto shqetësime ishin paralajmëruar që në fillim nga juristi ndërkombëtar Michael Karnavas, i cili kishte theksuar se modeli hibrid i gjykatës – një përzierje mes sistemit adversarial dhe atij inquisitorial – mund të krijojë një rol dominues për gjyqtarët.
“Nga perspektiva e Mbrojtjes, kjo ka potencial të ngrejë çështje të mungesës së drejtësisë dhe paanshmërisë. Nga këndvështrimi i barazisë së armëve, Mbrojtja është në mënyrë të natyrshme në disavantazh, pavarësisht nëse procedurat zhvillohen në mënyrë më adversariale apo më inquisitoriale. Pa mëdyshje, Prokurori i Specializuar (i ndihmuar edhe nga Përfaqësuesi i Viktimave) nuk ka nevojë reale për ndihmë nga gjyqtarët”, citohet ai në raport.
Megjithatë, raporti nuk konstaton drejtpërdrejt shkelje të drejtësisë, por thekson se kushtet për një gjë të tillë janë të pranishme dhe disa prej tyre tashmë janë materializuar në praktikë.
“Ky problem do të mund të vlerësohet plotësisht vetëm pas publikimit të aktgjykimit. Roli që kanë luajtur provat e nxjerra përmes pyetjeve sugjestive ose spekulative do të jetë një indikator kyç për drejtësinë e procesit”, theksohet në raport.
Në thelb, dilema që ngrihet është e qartë: kur gjyqtari fillon të bëjë më shumë se sa të gjykojë, a mbetet procesi ende i barabartë për palët? Raporti sugjeron se përgjigjja për këtë pyetje do të jetë vendimtare për besueshmërinë e vetë gjykimit.
