Në vend të prologut
Libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – në shënjestër të vazhdueshme” i shkrimtarit, publicistit e studiuesit Bardhyl Mahmuti, është një libër i veçantë për lexuesit dhe studiuesit e interesuar për periudhën vendimtare të historisë së re të Kosovës.
Është me rëndësi të theksoj që në fillim të kësaj analize se kemi të bëjmë me një narracion të veçantë në formë dhe në përmbajtje.
E veçanta në formë konsiston në atë se ngjarjet që rrëfehen, e tërheqin lexuesin për t’i shkuar deri në fund të rrëfimit të ngjarjeve a situatave të caktuara. Ndërkaq e veçanta në përmbajtje ka të bëjë me faktin se autori hedh dritë mbi takimet diplomatike përcaktuese në heqjen e cilësimit të Ushtrisë Çlirimtare Kosovë si organizatë “terroriste” dhe kualifikimin e saj si ushtri që lufton për çlirimin e vendit, duke ofruar prova të shumta në mbështetje të çështjeve që trajton. Kjo mënyrë e përfshirjes së fakteve në bashkëbisedim krijon siguri te lexuesit, sepse u jepet mundësi të vërtetojnë saktësinë e pohimeve.
Heqja e ‘mjegullës së qëllimtë’
Në këtë kontekst do të përmendnim disa nga të dhënat e librit, për të cilat lexuesit i është krijuar mundësia për t’u informuar në mënyrë koncize:
1. Në fillim të luftës, opinionin e gjerë ishte përhapur propaganda se “ambasadori amerikan Gelbard e ka quajtur UÇK-në terroriste”. Është për t’u habitur sesi ky mendim i përhapur atëbotë në opinion është i pranishëm edhe sot e kësaj dite në ligjërimet politike apo shkrimet që trajtojnë zhvillimet e asaj periudhe. Duke qenë i përfshirë drejtpërsëdrejti në udhëheqjen e takimeve diplomatike, autori sqaron të vërtetën lidhur me këtë qëndrim.
2. Po kështu ndodh edhe në rastin e Adem Demaçit, ku qëndrimet e Adem Demaçit u keqinterpretuan si “qëndrimi kundër bisedimeve në Rambuje”. Në raport me këtë çështje, autori shpjegon arsyet e dyshimeve që kishte z. Demaçi rreth rezultateve të kësaj konference, sepse kishte parasysh dështimet e shumta që kishte pasur diplomacia e shteteve perëndimore gjatë luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, ku pala serbe luante një lojë të dyfishtë: nënshkruante paqen, ndërkohë që vazhdonte kryerjen e krimeve monstruoze. Rezervat e z. Demaçi kishin për qëllim të alarmonin diplomacinë e angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës që të ishin vigjilent rreth rrezikut që të përsëritej ajo që kishim parë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.
3. Si çështje të tretë që kam përzgjedhur për këtë recension, ka të bëj rolin e kryeministrit të asaj kohe të Shqipërisë, z. Fatos Nano dhe propaganda kundër tij që mbizotëronte në opinionin publik të Kosovës, se gjoja se ai ishte duke vepruar kundër interesave të Kosovës. Argumentet që sjell autori në këtë rast, flasin për të kundërtën.
Sqarimet për ‘dilemat e qëllimta’
Më tej, autori i këtij libri Bardhyl Mahmuti, arrin t’i sqaroj shumë tema e dilema rreth zhvillimit të ngjarjeve para luftës, gjatë luftës e pas luftës, duke sqaruar mundësitë praktike të një ushtrie vullnetare, pjesëtarët e së cilës, ishin çuar në kryengritje për çlirim kombëtar, si domosdoshmëri e mbijetesës së popullit shqiptar në Kosovë.
Autori sqaron jo vetëm se si janë zhvilluar ngjarjet, por edhe pse janë zhvilluar në atë formë, dhe cila do të ishte alternativa e zhvillimit të tyre gjatë kësaj periudhe kohore. Në këtë drejtim autori sqaron edhe çështjet që kanë të bëjnë me përmbajtjen reale të termave “Shtabi Qendror i UÇK-së”, “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së” në kontekstin e luftës sonë çlirimtare dhe dallimit të këtyre nocioneve me domethënien që mund të kenë në terminologjinë ushtarake të ushtrive të mirëfillta. Në këtë drejtim, Bardhyl Mahmuti, arrin të sqaroj, jo vetëm dilemat e krijuara rastësisht, nga mosnjohja e gjërave për mungesë informimi, por ai arrin t’i sqaroj, sidomos dilemat e krijuara qëllimisht, ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sukseset e diplomacisë së UÇK-së, kundrejt Serbisë
Dihet se çështjet e diplomacisë në rrethana lufte janë shumë më të vështira, se në rrethana normale. Diplomacia e luftës së UÇK-së, në rrafshin ndërkombëtar, ishte e veçantë, sepse zhvillohej në situata e kushte të veçanta, ku duhej shpejtësi, vendosmëri, sinkronizim edhe me realitetin në terren, por edhe me akterët e skenës politike ndërkombëtare. Kur kësaj t’i shtohet edhe mungesa e përvojës, mund të merret me mend se sa e vështirë ka qenë ushtrimi i ndikimit diplomatik në qarqet vendimmarrëse. Edhe përkundër të gjitha këtyre, kjo diplomaci, me në krye Bardhyl Mahmutin, ja ka dalë që të ndikojnë pozitivisht, për të ndikuar në ndryshimin e perceptimit për UÇK-në, dhe për më tepër, të kenë sukses kundrejt Serbisë.
Kontakte me personalitete të rëndësishme
Bardhyl Mahmuti gjatë kësaj kohe, ishte pjesë e diplomacisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai gjatë kryerjes së detyrave të tij, me shumë sakrifica e peripeci të shumta, ka arritur të vëjë kontakte me shumë personalitete eminente të kohës, nga shumë shtete të rëndësishme euro-amerikane si: me ambasadorin Roberd Gelbard; ambasadorin Richard Holbrooke; komandantin e NATO-së Wesley Clark; ambasadorin Lawrence Rosin; deputetin e Parlamentit Evropian Olivier Dupuis; kryesuesen e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Doris Pack; Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Wolfgang Schussel; Ambasadorin e Austrisë në Beograd, Wolfgang Petritsch, që ishte i dërguar i posaçëm i BE për Kosovën; Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Peter Hohenfellner; Ministrin e Jashtëm të Holandës, Jeozias Van Aartsen; Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Wolfgang Ischinger; Zv. Drejtorin dhe Zëdhënësin e MPJ të RFGJ, Martin Erdmann; etj.
Rreth zhvillimit të propagandës serbe kundër UÇK-së
Pjesa e të dhënave ku flet për tendencat e propagandës serbe me qëllim të komprometimit të luftës çlirimtare të Kosovës, si gjatë luftës, e veçanërisht pas luftës, sqarohet në mënyrë shteruese për këto tendenca antishqiptare, përmes të cilave është synuar komprometimi i luftës çlirimtare, duke mos zgjedhur mjete për t’i dhënë karakterin terrorist, fundamentalist islamik etj., për të cilat autori sjellë shumë shembuj konkret.
Këto përpjekje të qarqeve serbe, janë të pranishme edhe sot e tërë ditën. Duke i sjellë këta shembuj të propagandës serbe, autori njëkohësisht sjell edhe kundër argumentet përmes të cilave bën demaskimin e shpifjeve të shumta nga qarqet e shtetit serb.
Rreth individëve të faktorit të jashtëm kundër UÇK-së
Në këtë libër, autori sjell edhe të dhëna rreth tendencave të qarqeve antishqiptare, të lansuara përmes personaliteteve të caktuara si Dick Marty, Carla del Ponte, etj., duke sjellë të dhëna konkrete të pohimeve të tyre, si dhe argumentet bindëse që dëshmojnë të kundërtën e veprimeve të tilla antishqiptare, mbi bazën e të cilave, siç dihet, u formua edhe ashtuquajtura Gjykatë Speciale…
Dy mesazhet e këtij libri
