“ Ai që e emërojnë në ndonjë detyrë, le t’i qaset me vetëdije asaj pune, ne çështje të vogla e të mëdha;le t’i përmbahet asaj që i urdhërohet, dhe le t’i përmbahet asaj që i ndalohet. ..”
Hyrje
Proceset e shtetndërtimit në vendet e tranzicionit shpesh karakterizohen nga tendenca jo të natyrshme zhvillimore, të cilat, përveç sfidave të jashtme, janë të përshkruara edhe nga dukuri të brendshme që e minojnë funksionimin demokratik të institucioneve. Një prej këtyre fenomeneve është ai i ngarrisjes (lexo; përtacisë) shoqërore (social loafing), i cili në kontekstin e shoqërisë kosovare po merr trajta të një vetëkënaqësie publike, ku individi apo grupi e sheh përfshirjen në institucione jo si përgjegjësi, por si përfitim statusor dhe ruajtje të privilegjeve. Kjo ese synon të analizojë këtë fenomen në dritën e sfidave të shtetndërtimit në Kosovë, duke e trajtuar si defekt sociologjik me pasoja të thella për funksionalitetin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm institucional.
I.
Ngarrisja shoqërore si Fenomen Sociologjik në Kontekstin e Kosovës;
Ngarrrisja shoqërore nënkupton tendencën e individëve për të kontribuar më pak kur janë pjesë e një grupi, duke besuar se përgjegjësia kolektive e zbeh nevojën për angazhim individual. Në kontekstin kosovar, kjo dukuri manifestohet përmes një vetëkënaqësie të rrezikshme institucionale dhe publike, ku pozita në një strukturë shtetërore përjetohet si status përfundimtar dhe jo si detyrim funksional për përmirësimin e përbashkët. Ky mentalitet është i dëmshëm për një shoqëri që ndodhet ende në fazat e para të konsolidimit demokratik.
Në vend që të theksohet meritokracia dhe zhvillimi profesional, vërehet një përhapje e gjerë e konformizmit, militantizmit partiak, dhe vetëkënaqësisë, që e shndërrojnë institucionin shtetëror në vendstrehim politik dhe jo në mjet për ndërtimin e së mirës së përbashkët.
II.
Paradoksi i Shtetndërtimit dhe Improvizimi i Diskursit Demokratik
Përkundër retorikës zyrtare që thekson shtetin, pavarësinë dhe demokracinë, Kosova po përballet me një krizë të thellë të funksionit përfaqësues dhe përgjegjësisë institucionale. Kjo krizë ka krijuar një dyzim të rrezikshëm ndërmjet diskursit publik dhe realitetit socio-politik. Përpjekjet e paraqitura si “arritje” janë shpesh produkte të një perceptimi artificial që më shumë reflekton dëshirën për sukses sesa vetë suksesin. Ky diskurs i improvizuar – i mbështetur kryesisht në propagandë mediatike dhe jo në analiza strukturore – kultivohet përmes një sugjestioni të planifikuar, ku pushtetarët përpiqen të legjitimojnë veprimet e tyre jo përmes rezultateve konkrete, por përmes simbolikës nacionaliste dhe premisave të paverifikuara demokratike.