Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër në Kosovë, “DokuFest”, i cili këtë vit kremtoi 25-vjetorin, shpërfaqet si një nga rrëfimet më të mira në fushën e kulturës, me të cilën krenohen Prizreni dhe Kosova.
Bashkimi Evropian në Kosovë është partner i kahershëm i “DokuFest”, duke kontribuar në fuqizimin e misionit të tij për të sjellë filmbërësit më të mirë në Kosovë, për të lehtësuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe për të nxitur rrjetëzimin dhe promovuar diversitetin kulturor, shprehjen artistike dhe rritjen e ekonomisë lokale.
Këtë gusht, mbështetja e BE-së vazhdoi gjatë gjithë edicionit të 25-të, me fokus në “Human Rights Dox”. Kinemaja “Lumbardhi”, më e vjetra në Prizren, ishte sërish një nga pikëtakimet kryesore të festivalit. Kjo kinema historike, restaurimi i së cilës është mbështetur nga Bashkimi Evropian, mirëpriti gjatë festivalit publikun nga Kosova dhe nga mbarë bota.
“Human Rights Dox” sjell rrëfime të fuqishme në “DokuFest”
Nga 7 deri më 15 gusht, 104 filma garuan në tetë programe të “DokuFest”. Për drejtorin artistik të “DokuFest”, Veton Nurkollari, “Human Rights Dox” ka qenë prej kohësh një nga programet kryesore të festivalit.
“Ne përpiqemi shumë të gjejmë filma nga e gjithë bota që flasin për të drejtat e njeriut, sepse këto janë të drejta universale. Rëndësinë e kësaj e kemi kuptuar herët, ndërsa fakti që Bashkimi Evropian është me ne për ta mbështetur një kategori për të cilën jemi shumë krenarë është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Nurkollari.
Olivier Boudart, udhëheqës i ekipit të Seksionit të Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, tha se mbështetja e këtij viti për garën “Human Rights Dox” është vazhdim i marrëdhënies së kahershme me “DokuFest” dhe se ka krijuar hapësirë për storje të fuqishme, dialog të hapur dhe perspektiva të ndryshme.
“Këtë vit jemi veçanërisht krenarë që mbështesim garën ‘Human Rights Dox’, e cila sjell në vëmendje histori që kanë në qendër dinjitetin njerëzor, lirinë, barazinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, vlera këto themelore për Bashkimin Evropian”, tha Boudart.
The Clearing: film që sjell në ekran një histori të mbajtur në heshtje
