Shkruan Ibish Neziri
Kosova, jo më së paku, por aspak nuk ka nevojë për spektakle të tipit të atyre që pamë ditëve të fundit në Skenderaj. Nuk ka nevojë as për demonstrime force fizike, qofshin ato individuale, policore apo partiake, e as për demonstrime force verbale, për tensione të nxitura artificialisht dhe për atmosferë përçarjeje që helmon jetën publike. Po aq pak, Kosova ka nevojë për studiot televizive ku debatet janë shndërruar në gara ulërimash, ku analistë e “komentatorë” flasin pa dëgjuar njëri-tjetrin dhe ku gjuha e arsyes po zëvendësohet me gjuhën e fyerjes, etiketimit, nënçmimit dhe nxitjes së urrejtjes.
Kosova nuk ka nevojë as për gjuhën e tillë të politikanëve, udhëheqësve e përfaqësuesve të partive politike, e aq më pak për gjuhën e bashibuzukëve të tyre në terren e në rrjete sociale. Edhe vetë partitë politike nuk kanë nevojë për argatë të tillë, sepse gjuha e ulët nuk sjell fitore morale, por vetëm degradim të jetës publike dhe të vetë politikës.
Kosova ka hyrë në një fushatë zgjedhore që, në të vërtetë, nuk pushoi kurrë. Një fushatë që vazhdon pa ndërprerje, ku tensioni mbahet gjallë çdo ditë dhe ku kundërshtari politik shpesh trajtohet si armik, e jo si rival demokratik. Në një klimë të tillë, sharja, fyerja dhe demonizimi i tjetrit po paraqiten si metodë politike, ndërsa debati për programet dhe idetë po shtyhet në plan të dytë.
E megjithatë, fushatat mund të bëhen edhe ndryshe. Mund të bëhen duke shpalosur vlerat, programet dhe vizionet, e jo duke sharë, fyer e demonizuar tjetrin. Kosova është vend i vogël dhe qytetarët e dinë pak a shumë se çfarë ka bërë secili deri më sot. Ajo që ende nuk e dinë është se çfarë synon të bëjë secili nesër. Pikërisht këtë duhet t’ua tregojnë qytetarëve.
Prandaj, secili, qoftë politikan, simpatizant apo “ushtar” partie duhet të përmbahet nga fjalët e rënda, sepse fjala ka peshë. Ka pasoja.
Populli ynë e ka thënë prej kohësh: “Goja llap-llap, shpina dap-dap”, sidomos kur ligji nuk vepron. Një tjetër thotë: “Fjala s’e mund fjalën”. Ndërsa për fjalën në politikë është thënë edhe kjo fjali e rëndë, por e vërtetë: “Po të mund të kapej fjala në politikë dhe të shtrydhej, ajo do të pikonte gjak.”
Prandaj kujdes nga fjalët, politikanë.
Fjala, njësoj si arma, nuk kthehet prapa. Arma vret kur shkrep. Edhe fjala, kur del nga goja, nuk kthehet më, por mund të vrasë po aq rëndë dinjitetin, qetësinë, familjen, madje edhe shpresën e njerëzve.
