Vendimi absurd, i paprecedent dhe thellësisht provokues i Dhomave të Specializuara në Hagë për të caktuar një seancë gjyqësore pikërisht më 28 Nëntor – Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, Ditën e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe Ditën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – kundër Hashim Thaçit, Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt, Hajredin Kuçit dhe Isni Kilajt, nuk është thjesht një lapsus administrativ. Ky nuk është një gabim teknik. Ky është një akt i pastër nënçmimi simbolik dhe politik – një sfidë e hapur ndaj identitetit kombëtar shqiptar dhe historisë së Kosovës. Në asnjë gjykatë ndërkombëtare, në asnjë institucion perëndimor që pretendon neutralitet e profesionalizëm, nuk do të ndodhte që një datë kaq e shenjtë për një komb të injorohej kaq demonstrativisht. Dhe jo vetëm të injorohej, por të përdorej si lojë e ftohtë e pushtetit. Duke e vendosur seancën pikërisht në këtë ditë, Haga nuk po jep një mesazh të fshehur: po jep një mesazh të qartë, të zëshëm dhe të qëllimshëm. Kjo nuk është rastësi. Është logjikë. Është qëndrim. Dhe është nënçmim.
Haga pa flamur, pa stemë, pa respekt: gjykata që Kosova e krijoi, por që nuk e njeh Kosovën
Duhet thënë troç: Dhomat e Specializuara funksionojnë prej vitesh pa asnjë simbol shtetëror të Republikës së Kosovës. As flamur, as stemë, asgjë. Në hapësirat zyrtare të një gjykate që juridikisht qëndron mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës nuk ekziston asnjë shenjë që e lidh atë me shtetin që e ka themeluar. Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, kjo është e padëgjuar. Kosova e ka krijuar këtë gjykatë, por gjykata po vepron si të mos kishte asnjë lidhje me Kosovën. A thua se është një institucion i shkëputur nga realiteti juridik dhe politik që e ka lindur. Kjo mungesë simbolesh dhe protokollesh është mungesë e respektit. Është qëndrim politik i kamufluar si neutralitet gjyqësor. Dhe për fat të keq, ky qëndrim po tolerohet.
Institucionet e Kosovës – heshtja si dorëzim
Ironia më e madhe është se ky poshtërim nuk do të ishte kaq i rëndë po të mos shoqërohej me një heshtje të frikshme dhe të pakuptimtë nga institucionet e Kosovës. Në vend të reagimit të shpejtë e dinjitoz: Presidenca hesht. Kuvendi hesht. Qeveria hesht. Avokati i Popullit hesht. KMDLNJ hesht. Edhe OJQ-të që flasin për të drejtat e njeriut kur bëhet fjalë për çdo temë tjetër – edhe ato heshtin. Kjo nuk është më as indiferencë. Kjo është përgjegjësi e humbur. Është dështim institucional. Është dorëzim. Ndërsa Kosova hesht, Haga e lexon heshtjen si dobësi. Dhe çdo dobësi e jona konvertohet në arrogancë të tyre.
