Shkruan: Ibish Neziri
Dy ngjarje të javëve të fundit, në shikim të parë të ndryshme, nxjerrin në pah të njëjtin problem të pazgjidhur të shtetit të Kosovës: raportin ndërmjet të drejtave jashtëzakonisht të gjera të garantuara për komunitetin serb dhe detyrimit të atyre që ushtrojnë funksione publike për ta njohur e respektuar rendin kushtetues të shtetit nga i cili burojnë këto funksione.
E para lidhet me kërkesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, të cilët në nëntor të vitit 2022, në kuadër të një largimi të organizuar politik, braktisën institucionet e Kosovës. E dyta ndodhi më 9 shtator 2026 në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kur deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, duke propozuar Sllavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit, deklaroi se propozimin po e bënte “në emër të popullit serb”.
Në të dy rastet shtrohet e njëjta pyetje: a mund të kërkohen të gjitha të drejtat që jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ndërkohë që mohohet, relativizohet ose shpërfillet vetë Republika dhe rendi kushtetues prej të cilit burojnë ato të drejta?
Dorëheqja është akt juridik, jo derë rrotulluese politike
Në nëntor të vitit 2022, gjyqtarë, prokurorë, policë dhe zyrtarë të tjerë serbë u larguan kolektivisht nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ky nuk ishte një proces normal individual dorëheqjesh për arsye personale. Ishte pjesë e një aksioni të koordinuar politik me Beogradin në veri, në kulmin e konfliktit rreth targave të automjeteve.
Gati katër vjet më vonë, më 15 korrik 2026, një pjesë e personelit serb të drejtësisë kërkoi tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në sistem. Këshilli Prokurorial dhe më pas Këshilli Gjyqësor nuk e pranuan këtë. Më 27 gusht 2026, KGJK-ja refuzoi kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit për t’i tërhequr dorëheqjet, ndërsa më 2 shtator u liruan nga detyra 18 gjyqtarë.
Bashkimi Evropian reagoi ashpër. Më 28 gusht deklaroi se vendimi i KGJK-së “duket i papajtueshëm” me ligjin, procesin e rregullt dhe kërkesat e sundimit të ligjit dhe se dëmton karakterin shumetnik të gjyqësorit. BE-ja kërkoi krijimin e kushteve për rikthimin e personelit gjyqësor serb. Ajo kishte reaguar edhe në vitin 2022 dhe kishte kërkuar kthimin e serbëve në institucione. Pikërisht për këtë arsye sot duhet t’i kërkohet një shpjegim më i plotë: nëse largimi kolektiv nga gjyqësori dhe institucionet u konsiderua atëherë veprim i gabuar dhe cenim i funksionimit institucional, a mund të trajtohet katër vjet më vonë rikthimi si një veprim pothuajse administrativ, pa u shqyrtuar përgjegjësia për atë që kishte ndodhur? Brukseli duhet t’i shpjegojë më qartë edhe njërën, edhe tjetrën.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton vendin si “shoqëri shumetnike”, megjithëse realiteti demografik është ai i një shoqërie me shumicë dërrmuese shqiptare dhe me komunitete joshumicë që, të marra së bashku, përbëjnë më pak se një të dhjetën e popullsisë. Ky përcaktim kushtetues nuk duhet të shndërrohet në argument që përkatësia etnike, vetvetiu, të krijojë të drejtë për marrjen, rikthimin ose ushtrimin e një funksioni publik, pavarësisht sjelljes dhe veprimeve konkrete të personit. Për funksionet shtetërore duhet të vlejë një standard i njëjtë për të gjithë: respektimi i Kushtetutës, ligjeve dhe detyrimeve që burojnë prej tyre. Shumetniciteti nuk mund të nënkuptojë përjashtim nga përgjegjësia institucionale.
Ligji për Këshillin Gjyqësor përcakton tekstin e betimit të gjyqtarit. Gjyqtari betohet se gjatë ushtrimit të detyrës do t’i qëndrojë besnik Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe ligjeve të saj dhe se funksionin do ta kryejë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme.
Prandaj BE-ja duhet t’i përgjigjet jo vetëm pyetjes se si t’i kthejmë gjyqtarët serbë, por edhe pyetjes se sipas cilit kriter juridik dhe individual duhet të kthehen.
A mund të braktiset kolektivisht sistemi gjyqësor në kuadër të një aksioni politik dhe, pas katër vjetësh, kthimi të trajtohet thjesht si vazhdim administrativ i vendit të punës? Vështirë të gjendet një shembull i tillë në një shtet demokratik funksional. Nëse ekziston, do të ishte mirë që ata që kërkojnë rikthimin pa kushte ta tregojnë.
Në Gjermani, për shembull, betimi i gjyqtarit kërkon shprehimisht ushtrimin e detyrës në përputhje me Ligjin Themelor dhe ligjet e Republikës Federale. Edhe në Zvicër funksioni publik parlamentar lidhet shprehimisht me respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve: anëtarët e Asamblesë Federale japin betim ose premtim solemn para marrjes së funksionit, ndërsa refuzimi i tij nënkupton heqje dorë nga mandati. Parimi, pra, nuk është kosovar; është parim elementar i shtetit kushtetues.
Dorëheqjet e vitit 2022 ishin kolektive, të ndërmarra në kuadër të një veprimi politik të koordinuar, dhe pikërisht si të tilla është dashur të trajtohen. Pas gati katër vjetësh, vështirë se mund të flitet më për “tërheqje të dorëheqjes” dhe vazhdim të mandatit aty ku ishte ndërprerë, sikur në ndërkohë të mos kishte ndodhur asgjë. Dorëheqja nga një funksion publik, aq më tepër kur bëhet në mënyrë kolektive dhe për arsye politike, duhet të prodhojë pasoja juridike.
Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se gjyqtarët serbë që dhanë dorëheqje duhet të përjashtohen përgjithmonë nga sistemi gjyqësor i Kosovës. Ata mund të konkurrojnë përsëri për funksione gjyqësore, por jo duke kërkuar vazhdimin automatik të mandatit të ndërprerë katër vjet më parë. Rikthimi duhet të bëhet përmes procedurave të rregullta, në konkurrencë me kandidatët e tjerë dhe mbi bazën e kritereve që vlejnë për të gjithë: aftësisë profesionale, integritetit, përshtatshmërisë për funksionin dhe, mbi të gjitha, lojalitetit ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Ky lojalitet nuk matet me bindjet politike të kandidatit, por me sjelljen dhe veprimet e tij konkrete. Për një gjyqtar, veçanërisht, nuk mund të jetë e parëndësishme nëse ai e njeh dhe e respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sovranitetin e saj, Kushtetutën dhe ligjet në bazë të të cilave kërkon ta ushtrojë përsëri funksionin.
Edhe institucionet e Kosovës kanë përgjegjësinë e tyre. Dorëheqjet e vitit 2022, si akt kolektiv politik i ndërmarrë në kuadër të një veprimi të koordinuar dhe të nxitur nga Beogradi, është dashur të pranoheshin dhe të formalizoheshin atëherë, pa u lënë pezull në pritje të zhvillimeve të ardhshme politike. Pikërisht këtu qëndron vërejtja ndaj institucioneve të Kosovës: në vitin 2022 ato nuk i trajtuan dorëheqjet në përputhje me natyrën e tyre – si ndërprerje të funksionit, të bëra në kuadër të një veprimi politik kolektiv.
“Në emër të popullit serb” – problem më i thellë se një fjali
Rasti i 9 shtatorit në Kuvend është edhe më domethënës. Igor Simiq deklaroi se, “në emër të popullit serb” dhe me nënshkrimet e nëntë prej dhjetë deputetëve serbë, propozon Sllavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi ta tërhiqte formulimin. Simiq refuzoi; më pas seanca u shty.
Natyrisht se një serb i Kosovës mund të thotë se i përket popullit serb. Identiteti kombëtar nuk pushon në kufirin shtetëror dhe askush nuk duhet t’ia mohojë atë. Problemi juridik dhe politik është tjetër: Simiqi nuk ndodhej në një tubim kulturor ose partiak. Ai po ushtronte funksionin e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe po përdorte një të drejtë që ia jep pikërisht Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Kushtetuta dhe Rregullorja nuk thonë se kandidatin për nënkryetar e propozon “populli serb”. Rregullorja është shumë konkrete: kandidati propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb që mbajnë vendet e garantuara në Kuvend. Komuniteti serb në Kosovë është subjekt i mbrojtjes kushtetuese të Republikës së Kosovës, ndërsa një “popull serb” i konceptuar si burim i jashtëm sovraniteti nuk është organ i rendit kushtetues të Kosovës dhe nuk emëron nënkryetar të Kuvendit të saj.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar edhe një parim tjetër të rëndësishëm: pasi zgjidhen, nënkryetarët e Kuvendit nuk përfaqësojnë interesat e grupit parlamentar apo partisë që i ka propozuar, por janë pjesë e Kryesisë dhe përfaqësojnë interesin e Kuvendit si tërësi. Kjo e bën krejtësisht legjitime pyetjen nëse nënkryetarët që vijnë nga Lista Serbe e kanë respektuar gjithmonë këtë parim në sjelljen dhe veprimet e tyre institucionale.
Debati, pra, duhet zhvendosur nga semantika te Kushtetuta, sepse edhe deputetët japin betim. Ata betohen se do të punojnë “në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj”, se do ta mbrojnë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, sovranitetin, tërësinë territoriale dhe integritetin institucional të Kosovës. Neni 74 i Kushtetutës përcakton, ndërkaq, se deputetët e ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet.
Prandaj pyetja nuk është nëse një deputet serb duhet të pushojë së qeni serb për t’u bërë deputet i Kosovës. Një kërkesë e tillë do të ishte absurde dhe askujt nuk do t’i shkonte mendja ta bënte. Pyetja është nëse mund të kërkohet dhe ushtrohet një post kushtetues, ndërkohë që në diskursin dhe sidomos në veprimet politike nuk pranohet rendi kushtetues prej të cilit buron ai mandat.
Në këtë kuadër nuk është pa rëndësi as mënyra se si përfaqësuesit e Listës Serbe i referohen vetë Kosovës. Emri kushtetues i shtetit është Republika e Kosovës. Kur, në vend të tij, përdoret emërtimi “Kosovo i Metohija”, nuk kemi të bëjmë vetëm me një zgjedhje gjuhësore, por me terminologjinë kushtetuese të Serbisë, e cila Kosovën e trajton si krahinë autonome në kuadër të saj. Kështu krijohet një kundërthënie e drejtpërdrejtë: ushtrohen të drejta dhe kompetenca që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ndërsa vetë shteti emërtohet me terminologjinë kushtetuese të një shteti tjetër që e mohon atë si republikë të pavarur.




