Kriza politike në Kosovë është mbajtur artificialisht në jetë nga Lëvizja Vetëvendosje, për të mbuluar normalitetin – armikun më të madh të tyre. Një parti që refuzon dialogun, depolarizimin, marrëveshjen dhe kompromisin.
Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë për dialog të brendshëm, për të shëruar urrejtjen, përçarjen dhe, mbi të gjitha, rrezikun që ajo të shndërrohet në një shtet të dështuar.
Kjo vlerë shqiptare dhe perëndimore u përmbys në ditën kur Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet – në ditën kur dialogu dhe kompromisi u shndërruan në sinonime të tradhtisë kombëtare.
Albin Kurti, duke u përpjekur të jetë ndryshe nga Hashim Thaçi, ka filluar t’i ngjajë Aleksandër Vuçiqit. Antipodi i kësaj figure historike të Kosovës mund të jetë vetëm dikush që përfaqëson doktrinën politike serbe. Dhe, fatkeqësisht, Kosova në pesë vitet e fundit është udhëhequr nga një mendësi e tillë.
Keqësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës; sanksionet e Bashkimit Evropian; marrëdhëniet e lënduara me Perëndimin; fushatat politike me arkivole dhe me të vdekurit; politika pseudo-nacionaliste si opium për uljen e ndjeshmërisë ndaj dështimeve të brendshme; izolimi rajonal dhe ai ndërkombëtar; pranimi i marrëveshjeve në tavolinat diplomatike dhe shkatërrimi i tyre në terren; viktimizimi, përhapja e gënjeshtrave, krijimi i realiteteve paralele, festimi i humbjeve – të gjitha këto nuk janë vlera të shqiptarëve që burojnë nga kultura jonë politike.
Kjo është doktrinë serbe!
Kosova ka nevojë për rikthimin e vlerave të fituesit, për rikthimin e doktrinës politike perëndimore, të bashkëpunimit dhe të dialogut mes vete. Ka nevojë për rikthimin e orientimit perëndimor që e çliroi, e bëri të pavarur dhe të barabartë me shtetet e tjera.
Nevoja është për burrështetas që udhëheqin me parimet e fituesit, jo të humbësit. Me vendosmëri, jo me viktimizim. Me frymë bashkëpunimi, jo revanshi. Me vizion të përbashkët, jo me urrejtje.
Kosova ka nevojë për burrështetas që privohen nga egot e tyre për t’i hapur rrugë përparimit të përjetshëm të shtetit. Burrështetas që edhe në situata më të rënda të jetës së tyre arrijnë të zgjojnë shpresë dhe të frymëzojnë.