RECENSION
Ibish Neziri – “Drejtësia pa llogaridhënie: Dhomat e Specializuara, Raporti Marty dhe deformimi i drejtësisë ndërkombëtare”
Dorëshkrimi “Drejtësia pa llogaridhënie” nuk është një reagim emocional ndaj Gjykatës Speciale, por një kritikë juridike e strukturuar ndaj arkitekturës së saj normative.
Që në hyrje, autori e vendos tezën qendrore pa ekuivoke: problemi nuk është thjesht funksionimi procedural i Dhomave të Specializuara, por shkëputja midis drejtësisë formale dhe drejtësisë reale, dëshmitarë të së cilës tashmë jemi të gjithë.
Kjo temë trajtohet në tërë librin duke argumentuar përmes tri shtyllave kryesore: juridiksionit selektiv, paraburgimit të tejzgjatur dhe mungesës së llogaridhënies institucionale.
1. Paraburgimi si dënim paraprak – argument i ndërtuar mbi standarde evropiane
Një nga pjesët më të forta të librit është analiza e paraburgimit shumëvjeçar në raport me Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Autori nuk mjaftohet me deklarime politike, por e vendos praktikën e Dhomave përballë jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe praktikës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Teza se paraburgimi në Hagë është shndërruar nga masë e jashtëzakonshme në rregull sistemik mbështetet me elemente konkrete si: zgjatje 5–6 vjeçare pa aktgjykim përfundimtar; refuzim pothuaj rutinë i masave alternative; arsyetime të përsëritura dhe jo të individualizuara; mungesë mekanizmi të jashtëm kontrolli sipas Ligjit Nr. 05/L-053.
Veçanërisht bindës është argumenti se, në mungesë të një mbikëqyrjeje të jashtme efektive, sistemi hyn në një rreth të mbyllur vetëjustifikimi. Autori e lidh këtë me parimin nemo judex in causa sua , duke e konkretizuar me rastin e emërimit të një gjyqtari të brendshëm si Ombudsperson. Kjo trajtohet si simptomë e një arkitekture që përqendron rregullbërjen, gjykimin dhe mbikëqyrjen në të njëjtin sistem.
Argumenti se paraburgimi, edhe në rast pafajësie, prodhon dënim de facto është një nga pikat më të forta morale dhe juridike të dorëshkrimit.
2. Regjimi i paraburgimit dhe lejet humanitare – diskriminim strukturor
Libri nuk mbetet në nivel abstrakt, por kalon në raste konkrete të Nasim Haradinaj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Hysni Gucati, Sali Mustafa. Refuzimi i lejimit për pjesëmarrje në varrime dhe vizita humanitare trajtohet si model i konsoliduar dhe jo si vendime të izoluara.
Autori përdor konceptin e diskriminimit strukturor, duke argumentuar se kemi të bëjmë me efekt sistematik, jo me gabime individuale. Ai e vë këtë praktikë përballë standardeve Kushtetuese të Kosovës dhe Konventes Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar mungesën e kritereve të qarta dhe varësinë absolute nga diskrecioni administrativ.
Këtu analiza është e fuqishme sepse nuk mohon nevojën për masa sigurie, por problematizon proporcionalitetin dhe mungesën e individualizimit.
3. Raporti i Dick Marty-t – nga hipotezë në dogmë politike
Kapitulli mbi Raportin Marty është ndër më polemikët dhe njëkohësisht ndër më të rëndësishmit. Autori e ndan raportin në tri faza:
