Çdo ditë, mijëra udhëtarë në mbarë botën humbasin sende personale gjatë kontrolleve në aeroporte. Në shumicën e rasteve nuk bëhet fjalë për tentativa kontrabande apo shkelje të qëllimshme të ligjit, por për mosnjohje të rregullave që zbatohen gjatë udhëtimit ndërkombëtar.
Një parfum pak më i madh se sa lejohet, një produkt ushqimor i ndaluar, një bateri litiumi e vendosur në bagazhin e gabuar apo sasi produktesh mbi kufijtë doganorë mund të çojnë në konfiskim, vonesa apo, në raste të caktuara, edhe në gjoba.
Njohja e rregullave të aeroportit dhe e kërkesave doganore nuk është thjesht një formalitet. Ajo ndihmon në mbrojtjen e sigurisë së fluturimit, garanton respektimin e legjislacionit të vendeve ku udhëtojmë dhe kontribuon në luftën kundër tregtisë së jashtëligjshme dhe kontrabandës.
Më poshtë janë pesë kategoritë e produkteve që konfiskohen më shpesh gjatë kontrolleve aeroportuale.
1. Lëngjet mbi kufirin e lejuar
Kjo mbetet arsyeja më e zakonshme e konfiskimeve në pikat e kontrollit të sigurisë.
Në bagazhin e dorës, lëngjet lejohen vetëm në enë deri në 100 ml, të vendosura në një qese plastike transparente me kapacitet maksimal 1 litër.
Në këtë kategori përfshihen:
-parfume;
-kremra;
-xhele;
-pasta e dhëmbëve;
-kozmetikë e lëngshme;
-deodorantë aerosol.
Produktet që tejkalojnë kufirin zakonisht konfiskohen përpara hipjes në avion.
2. Produkte ushqimore
Shumë udhëtarë sjellin ushqime tradicionale ose produkte vendase pa e ditur se disa prej tyre nuk lejohen të kalojnë kufijtë.
Në shumë vende ekzistojnë kufizime të rrepta për:
-mishin dhe produktet e tij;
-qumështin dhe nënproduktet;
-produkte të caktuara me origjinë shtazore;
-fruta, fara ose bimë, në varësi të destinacionit.
Këto masa synojnë të mbrojnë shëndetin publik, bujqësinë dhe biodiversitetin nga përhapja e sëmundjeve apo dëmtuesve.
3. Bateritë me litium dhe pajisjet elektronike
Power bank-et dhe bateritë litium janë ndër sendet që krijojnë më shpesh konfuzion.
Në përgjithësi:
-bateritë rezervë dhe power bank-et duhet të transportohen në bagazhin e dorës;
-vendosja e tyre në bagazhin e check in zakonisht mund të mos lejohet;
-pajisjet elektronike mund të kontrollohen veçmas gjatë procesit të sigurisë.
Kjo lidhet me standardet ndërkombëtare të sigurisë ajrore për minimizimin e rrezikut të zjarrit gjatë fluturimit.
4. Duhani, alkooli dhe produktet me akcizë
Produktet e akcizës janë ndër kategoritë më të monitoruara nga autoritetet doganore.
Edhe kur janë blerë në mënyrë të ligjshme, transportimi i sasive mbi kufijtë e lejuar mund të kërkojë deklarim ose pagesën e detyrimeve doganore, në varësi të rregullave të vendit të destinacionit.
Në TIA për shembull, lejohen deri në:
-200 cigare (ose 100 cigarilo, 50 puro, ose 250 g duhan).
-Alkool: 1 litër pije alkoolike me mbi 22% alkool (ose 2 litra pije alkoolike me më pak se 22% alkool), plus 2 litra verë dhe 10 litra birrë.
Kufijtë ndryshojnë nga një shtet në tjetrin. Për këtë arsye, udhëtarët duhet të konsultojnë gjithmonë udhëzimet zyrtare të autoriteteve doganore përpara nisjes.
5. Paratë cash dhe mallrat me vlerë të lartë
Një tjetër kategori që shkakton shpesh probleme është transportimi i shumave të mëdha të parave ose i mallrave me vlerë.
Në shumë vende, përfshirë Shqipërinë dhe shtetet e Bashkimit Evropian, transportimi i më shumë se 10,000 eurove (ose ekuivalentit të tyre në valutë tjetër) duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore.
Edhe bizhuteritë, pajisjet elektronike apo mallra të tjera me vlerë të konsiderueshme mund të kërkojnë dokumentacion mbështetës ose deklarim, në varësi të rrethanave.
Si t’i shmangni konfiskimet?
Shumica e problemeve mund të shmangen me disa kontrolle të thjeshta përpara udhëtimit:
-informohuni për rregullat doganore të vendit ku do të udhëtoni;
-kontrolloni çfarë lejohet në bagazhin e dorës dhe çfarë duhet të vendoset në bagazhin e regjistruar;
-respektoni kufijtë për lëngjet, produktet e akcizës dhe paratë cash;
-deklaroni mallrat kur kjo kërkohet nga ligji;
mos transportoni paketa apo sende për persona të tjerë pa ditur saktësisht përmbajtjen e tyre.
Udhëtimi i përgjegjshëm fillon përpara se të mbërrini në aeroport
Kontrollet në aeroporte nuk synojnë vetëm garantimin e sigurisë së fluturimeve. Ato luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit publik, parandalimin e kontrabandës dhe tregtisë së jashtëligjshme, si edhe në zbatimin e rregullave doganore që sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Disa minuta të shpenzuara për të kontrolluar rregullat përpara udhëtimit mund t’ju kursejnë vonesa, konfiskime, pagesa të panevojshme dhe shqetësime gjatë kalimit të kufirit. Në fund të fundit, një udhëtim i qetë fillon me një valixhe të paketuar siç duhet dhe me njohjen e rregullave të vendit ku po udhëtoni.