Shkruan Ibish Neziri
Sot u bënë pesëmbëdhjetë vjet që nga publikimi i Raportit të Dick Marty-t në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, një dokument që jo vetëm tronditi opinionin ndërkombëtar, por la pas vetes një nga stigmatizimet më të rënda kolektive ndaj Kosovës dhe shqiptarëve pas luftës së viteve 1998–1999. Raporti u paraqit si thirrje për drejtësi. Por pesëmbëdhjetë vjet më vonë, pyetja legjitime mbetet: çfarë drejtësie prodhoi ai realisht?
Një raport, një akuzë, një damkë
Në dhjetor të vitit 2010, raporti i senatorit zviceran Dick Marty ngriti akuza tronditëse për trajtim çnjerëzor dhe për trafikim organesh nga struktura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa u shndërruar në aktakuzë, pa kaluar nëpër filtrin e një gjykate dhe pa prova materiale konkrete, raporti u përqafua menjëherë nga një pjesë e mediave ndërkombëtare si fakt i kryer. Që nga ajo ditë, emrat “Kosovë”, “UÇK” dhe “trafik organesh” u lidhën në një fjali që do të qarkullonte për vite, pavarësisht se akuza më e rëndë e raportit kurrë nuk u vërtetua juridikisht. Në kulmin e histerisë mediatike dhe politike, çdo zë skeptik u cilësua i dyshimtë. Megjithatë, kishte arsye serioze për dyshim, jo për të mohuar krime lufte, por për të mos pranuar pa prova një akuzë që kërkonte standardin më të lartë të verifikimit. Si gazetar dhe si qytetar që kishte kaluar burgjet jugosllave për bindje politike, pata bindjen se dyshimi ishte jo vetëm e drejtë, por edhe detyrim moral. Në një intervistë për Aargauer Zeitung, të publikuar më 18 dhjetor 2010në këtë gazetë dhe në katër gazeta tjera (Zofinger Tagblatt, Thurgauer Zeitung, St. Galler Tagblatt dhe Badener Tagblatt), thashë atë që më dukej evidente: pretendimi për trafikim organesh, në kushtet e viteve 1998–1999 në Kosovë dhe Shqipëri, ishte teknikisht dhe logjistikisht jo vetëm i dyshimtë, por krejtësisht i pamundur. Jo për të mbrojtur dikë, por sepse krime të tilla kërkojnë kushte reale mjekësore, infrastrukturë dhe gjurmë materiale, të cilat thjesht nuk ekzistonin aty ku raporti i lokalizonte.
Si u ndërtua raporti?
Nëse ndahet në faza, ky raport pati tri faza ndërtimi. Faza e parë ishte publikimi i librit të Carla Del Pontes “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës”, (2008), me informacione për të cilat edhe vetë autorja pranon se ishin të paverifikuara dhe të pamundura për t’u shndërruar në aktakuzë. Ky libër krijoi terrenin emocional. Faza e dytë u zhvillua në stacionin e trenit në Cyrih, ku, siç u mësua më vonë, në nisjen dhe stisjen e raportit roli i ambasadorit serb në Bern Milan S. Protiq, si pjesë e një operacioni të strukturuar propagandistik të Beogradit, i ndihmuar edhe nga prokurori Bruno Vekariq, ishte vendimtar. Vetë vendi ku u nis kjo narrativë hedh dyshime serioze për motivim politik dhe madje për korruptim të autorit të raportit. Faza e tretë ishte vetë Raporti Marty, i cili e institucionalizoi narrativën, duke përdorur terma të mjegullt si “indikacione” dhe “informacione të besueshme”, por pa asnjë provë materiale. Kështu, një hipotezë e paqëndrueshme u shndërrua në dogmë politike.
Çfarë ndodhi pas raportit?
Raporti Marty u pasua nga hetime ndërkombëtare: EULEX, Special Task Force, diskutime për gjykata speciale dhe presione të pafundme për krijimin e tyre. Megjithatë, një fakt mbetet i pandryshueshëm edhe sot: akuza për trafikim organesh nuk u bë kurrë pjesë e ndonjë aktakuze penale konkrete. Ky nuk është detaj i parëndësishëm, është thelb, është prova më e qartë e mungesës së provave. Në drejtësi, ajo që nuk akuzohet dhe nuk provohet, nuk mund të vazhdojë të jetojë si fakt moral në opinion. Raporti prodhoi një stigmatizim kolektiv: një popull që kishte përjetuar spastrim etnik, masakra dhe varreza masive nga Serbia katër herë brenda 120 viteve, u përball me një përmbysje morale, nga viktimë në subjekt të një krimi monstruoz, pa u provuar ky krim. Edhe pse akuza nuk u vërtetua kurrë, asnjë institucion ndërkombëtar nuk pati kurajën minimale të dilte publikisht dhe të deklaronte: “Akuza e trafikimit të organeve nuk u vërtetua.” Edhe kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkoi rishikimin e Rezolutës së vitit 2011 dhe hedhjen poshtë të akuzave të Raportit Marty, Këshilli i Evropës reagoi me një ftohtësi procedurale. Nuk u hap asnjë proces rishikimi, nuk u ngrit asnjë grup pune dhe nuk u mor asnjë vendim për të sqaruar publikisht se akuzat nuk janë shndërruar kurrë në aktakuzë. Institucioni që e miratoi raportin nuk gjeti guximin minimal moral për të korrigjuar një akuzë të pabazë, duke lënë në fuqi stigmatizimin që vetë e kishte ndihmuar ta krijonte.
II BATAJNICA, VARREZAT MASIVE DHE TË PAGJETURIT
