Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS) ka shpërfillur kërkesën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, për të vendosur faturat në zarfe, për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar fotografi ku shihet se faturat e energjisë elektrike janë shpërndarë pa zarfe nëpër kutitë postare, ashtu që secili mund t’i sheh të dhënat e tjetrit.
AIP kishte vendosur si afat për këtë kërkesë 30 qershorin e këtij viti.
“Afati për Ndërmarrjet Publike dhe Private që shpërndajnë fatura tek qytetarët për të vendosur faturat në zarfe për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale ka qenë 30 qershori 2024. Kërkesa është adresuar për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, duke parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre.
Në kuadër të sigurimit të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Agjencia për Informim dhe Privatësi, kërkon nga Ndërmarrjet Publike dhe Private që ofrimin e shërbimeve për qytetarët (shpërndarjen e faturave) ta realizojnë në formatin që garanton mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve nga ekspozimi dhe qasja e paautorizuar. Rrjedhimisht, Ndërmarrjet Publike dhe Private janë të obliguara të ndërmarrin masat e duhura të sigurisë me rastin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët (shpërndarjes së faturave) dhe të vendosin masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rreziqeve të mundshme të keqpërdorimit të të dhënave personale të qytetarëve”, thuhej në njoftimin e AIP të lëshuar javë më parë.