Eksperti i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë se rasti i torturimit të opozitarit Nikola Sanduloviq e shpërfaq ideologjinë fashiste të Serbisë.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka thënë se është i shqetësuar me reagimin e mekët të Bashkimit Evropian për këtë rast.
“Problemi kryesor që tani për tani është në Ballkan, është problemi i mosdenazifikimit të Serbisë. Serbia vazhdon të jetë naziste dhe fashiste. Ajo që e pësoi Sanduloviqi, pikërisht është ajo e vërteta e tyre, ajo çka në të vërtetë janë ata”, ka thënë Kajtazi.
Sipas tij, në Serbi dominon dhe kultivohet ideologjia e gjenocidit, atë e kultivojnë elitat intelektuale, kisha ortodokse serbe dhe elitat politike.
“Rasti Sanduloviqit është tipik se kjo ideologji është prezente për arsye se nuk kemi reagim as të opozitës, nuk kemi reagim as të shoqërisë civile, nuk kemi reagim as të medieve”, ka shtuar ai.
Tutje, ai ka thënë se gjatë luftërave ballkanike ka pasur më shumë reagime në Serbi edhe pse opozita ka qenë në kushte më të vështira.
“Mirëpo tashmë jemi në vitin 2024 dhe për mua shqetësuese është edhe mosreagimi i BE-së, ka qenë reagim shumë i mekur për arsye se BE-ja e ka humbur atë shpirtin e Evropës së Pasluftës së Dytë Botërore”, është shprehur Fadil Kajtazi.