Ish-çifti, Rozana Radi dhe MC Kresha shmangin njëri-tjetrin ndonëse u gjendën në të njëjtën studio televizive
Rozana Radi dhe MC Kresha janë përballur sërish në të njëjtën studio televizive pas më shumë se një dekade nga koha kur ata ishin në një lidhje (2011–2012), por takimi ka kaluar me dukshëm ftohtësi.
Kresha ishte i ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ku Rozana është pjesë e panelit si opinioniste. Gjatë intervistës, në momentet kur u përmend fakti që ata ndodheshin përballë pas shumë vitesh, u vu re siklet dhe distancë nga të dyja palët.
Sipas asaj që u pa në studio, Rozana zgjodhi të mos komunikojë me të dhe qëndroi e rezervuar, duke u fokusuar herë pas here edhe te telefoni. Ndërkohë, Kresha vazhdoi të flasë për temat e intervistës, por situata u duk e tensionuar sa herë që u prek tema e së kaluarës së tyre.
Pasi reperi përfundoi intervistën dhe u largua nga studio, Rozana u pyet nga koleget për këtë situatë dhe dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ajo tha se e respekton Kreshën si artist, por preferoi ta dëgjonte në intervistë dhe të mos fliste, duke respektuar partnerët e tyre aktualë dhe duke theksuar se ajo nuk i zgjedh të ftuarit e emisionit, shkruan telegrafi.
“E respektoj për artistin që është. Preferova më tepër ta dëgjoja, sesa të flisja. Duke respektuar partnerët reciprokë. Nuk i zgjedh unë të ftuarit. Ia dëgjoj muzikën dhe e duartrokas në skenë”, u shpreh Rozana.
Deklarata e saj u interpretua si një sqarim se përballja në studio ishte pjesë e punës dhe jo diçka e kërkuar prej saj, ndërsa ajo zgjodhi të mbajë kufij të qartë dhe të mos e kthejë momentin në diskutim personal.