Rreth 50 për qind e konsumatorëve të ngrohtores së qytetit “Termokos” kanë instaluar pajisjet matëse në radiatorë. Ani pse këtë vit nuk fillon faturimi, banorët e shumë lagjeve të Prishtinës, kanë nisur vetë të përcaktojnë konsumin e ngrohjes. Në radiatorë që nga korriku ka filluar instalimi i termokokave dhe alokatorit, i cili shërben si llogaritës i shfrytëzimit të energjisë.
Për kryeqytetasit, rekomandohet që temperatura në ambientet familjare të jetë deri në 22 gradë. Ata do të paguajnë faturën e ngrohjes varësisht nga konsumi, e jo nga metrat katrorë të hapësirës e cila ngrohet. Projekti “Prishtina Heat Save” financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komuna e Prishtinës.
Për një periudhë të shkurtër, 23 ekipet e autorizuara kanë trokitur pothuajse në çdo derë të konsumatorëve të kryeqytetit. Me fillimin e sezonit ngrohës, janë instaluar edhe pajisjet matëse të cilat do të ndryshojnë mënyrën e faturimit të konsumatorëve të “Termokos”-it.
Drejtori i Programit të Energjisë në MFK, Burim Hashani tregon se pritjet janë për 30 për qind kursime të energjisë termike.
“Pajisjet që janë instaluar, janë pajisje për matjen e ngrohjes se sa po shpenzon dhe pajisje për të kontrolluar shpenzimet. Pajisjet për kontrollimin e shpenzimeve janë inteligjente dhe duhet të paracaktohen nga ekipet tona në nivel që të sigurojnë temperaturë të qëndrueshme përgjatë 24 orëve, por jo në nivel maksimal që të shfrytëzohet energji e panevojshme. Do të thotë ato do të jenë të paracaktuara në nivel të komfortit, ku dihet se standardet janë 22 gradë, nuk kemi nevojë të kemi në banesa 25-26 gradë. Njerëzit nuk duhet të shqetësohen nëse e prekin radiatorët dhe ata nuk janë tepër të ngrohtë, por janë të qëndrueshëm me një temperaturë e cila ju krijon komfort në shtëpi”, tregon Hashani.
Këto pajisje do të përçojnë mesazhin edhe tek softuerët e “Termokos”-it, ku aty do të bëhen matjet direkte dhe vërehet konsumi i qytetarëve të Prishtinës.
“Për të gjithë pajisjet që kemi instaluar deri më tash, mbi 50 për qind veç ka filluar matja e impulseve dhe konsumit. Andaj do të kisha ftuar që konsumatorët veçse të fillojnë që shprehitë e tyre të konsumit të nxehjes t’i zbatojnë në atë mënyrë që të arrihen kursimet, të cilat priten nga ky projekt. Edhe pse faturimi nuk fillon sivjet, faturimi në bazë të konsumit nuk fillon sivjet sepse nuk është i gjithë sistemi i pajisur me këto pajisje dhe do të fillojë nga sezoni 2023-2024”, shprehet ai.
Shprehitë e kursimit, siç thotë Hashani, do të fillojnë këtë vit bashkë edhe me matjet që do të ndikojnë në përcaktimin e tarifave dhe të hyrat e ngrohtores së qytetit.
Projekti për kursimin e ngrohjes, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komuna e Prishtinës po implementohet për herë të parë në Prishtinë.
Liridon Beqaj, i cili është inxhinier në “Termokos” tregon për konsumatorët, mënyrën se si duhet të shfrytëzohen pajisjet e instaluara.
“Valvula shërben për qytetarin që të zvogëlojë energjinë edhe të rregullohet niveli i temperaturave çfarë ata dëshirojnë në ambient. Kjo është pajisje që shërben për ‘Termokos’-in. Matësi i energjisë është instrumenti që do të masë temperaturën. ‘Termokos’-i deri tash ka kalkuluar me metër katror për ambiente, kur ka qytetarë të cilët nuk kanë qenë të kënaqur me ngrohjen, tash ky matësi i energjisë do të kalkulojë temperaturën edhe ka me pas në fund faturën aq sa e ka mbyllur valvulën”, shprehet ai.
Termokoka, siç tregon Beqaj, ka gjashtë nivele të cilat përcaktojnë nivelin e ngrohjes nga radiatorët.
“Rasti kur është tek kjo pikë, kishim sugjeruar për qytetarët që të përdorin kur nuk gjenden në shtëpi, që janë në vikende apo kur nuk janë më gjatë në shtëpi. Pika 1 sjell diku temperaturën prej 13 gradë që në qoftë se ka qarkullim të shpeshtë ose nuk është permanent në shtëpi e mban temperaturën konstatonte, i cili mund të ngrihet niveli i saj më relative. Pika numër 2 e ka një temperaturë solide deri në 18 gradë, dikush që nuk e dëshiron shumë të nxehtin mund ta mbajë te pika 2. Nivelin e tretë e kemi rastin ku diku temperatura përafërsisht prej temperaturave të ujit që vjen prej ‘Termokos’-it dhe sillet në ambientet tona diku rreth 20-22 gradë”, tregon mes tjerash ai.
Në termokokën e instaluar në radiator shënohet edhe pika maksimale, por kjo nuk preferohet për ambientet familjare.
“Pika 5 është pika maksimale që mundet me qenë në ambientet tona. Pikë që preferohet në vendet banjë, apo diku ku është e ngrohtë ose në rastet kur mund të ketë një që është permanent në shtëpi me shëndet më të dobët, që i duhet temperatura. Mund të kalojë temperaturën 24-26 gradë”, përfundon ai.
Niveli i gjashtë është më i rëndësishmi për konsumatorët kur nuk ndodhën në shtëpi, që shërben për ndalje, ekonomizim dhe qarkullimin e ujit.
Ndërsa në momentin kur vendosni të hapni dritaret në mënyrë që të ajrosen ambientet, atëherë valvula duhet të kalojë “te ylli”.
“Një ajrosje pesë deri në gjashtë minuta është e mjaftueshme, nëse hapen dritaret. Në momentin kur hapen dritaret, për shembull të kalojë valvula te pjesa e vogël e reduktuar, te ylli. Dhe ajroset ambienti familjar, mbyllen dritaret dhe sërish kthejmë valvulën në temperaturën ku ju e ndjeni veten komod me ambientin që jeni. Gjithmonë duhet menduar, që ku valvula është e hapur në temperaturën maksimale që e kemi kërkuar, në ato momente është mirë që ambienti të jetë i mbyllur”, tha Beqaj.
Në radiatorë është i vendosur edhe matësi i energjisë, i cili ka dy sensorë që e matin temperaturën e radiatorit dhe atë të ambientit.
Instalimet janë duke vazhduar me intensitet të lartë për çdo ditë tek konsumatorët e ngrohtores së qytetit “Termokos”. Projekti “Prishtina Heat Save”, në vlerë prej më shumë se nëntë milionëve financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komuna e Prishtinës. /