Infermierët e angazhuar në institucionet publike shëndetësore janë të pakënaqur me vlerën e koeficientit prej 105 euro.
Sipas Sindikatës së Infermierëve, një vlerë e tillë veçse ka zbehur dëshirën e këtyre punëtorëve shëndetësorë për të vazhduar punën në klinikat e spitalet e Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha u shpreh se përkundër këtyre pakënaqësive ende nuk kanë menduar që Ligjin për paga ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, apo të parashtrojnë kërkesë për diçka të tillë tek Avokati i Popullit.
“Kemi kërkuar që vlera e koeficientit të jetë të paktën 120 euro, edhe kjo nuk ka ndodhur, kështu që normal që ka pakënaqësi tek infermierët. Tek ne si sindikatë ende nuk kemi menduar për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese sepse jemi pjesë e Federatës, ndërsa para pak ditësh Federata ka vendosur që përmes 5 pikave iu është drejtuar Qeverisë ku asnjëra nga pikat nuk është që Federata do ta dërgojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi Berisha.
Por, koeficienti prej 105 eurosh sipas Berishës vetëm sa e ka rritur dëshirën e stafit infermieror për tu larguar nga Kosova.
“Ka ngjallë pakënaqësi ata që kanë qenë të luhatshëm për atë se a të qëndrojnë për të punuar në Kosovë apo të shkojnë jashtë, sigurisht që i janë rritur kërkesat për të shkuar jashtë dhe një pjesë e tyre kanë thënë se ‘nga ky moment ne më nuk mund të punojmë’ dhe vlen të ceket që nuk është vetëm paga, por janë edhe kushtet e rënda, janë edhe mungesa e madhe e infermierëve ku ka reparte që një infermier kujdeset deri për 25 pacientë derisa sipas OBSH-së një infermier duhet të kujdeset për pesë pacientë… Sipas informatave që kemi ne janë rreth 2 mijë infermierë të cilët priten të largohen deri kah mesi i vitit 2024 gjë që do ta vështirësojë edhe më tutje pozitën e infermierëve dhe po ashtu do të ketë normal ofrim të shërbimeve më jocilësore për pacientët”, theksoi ai.
E infermierët ende nuk e kanë të qartë se si do tu paguhet ndërrimi i natës, vikendet dhe ditët e festave. Për këtë çështje kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha tha se janë në pritje të publikimit të rregullores.
“Për çdo ditë thuajse janë duke u publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë rregullore përmes të cilës do të rregullohen edhe vlera do të caktohet për ndërrimin e natës, vikendet dhe festa ne kërkojmë dhe kemi kërkuar edhe nga ministri që të shkohet sipas Ligjit të pagave siç është e përcaktuar dhe sipas Ligjit të punës”, tha Berisha.