Punon tash e disa vite në shërbim të pacientëve, por infermieri Përparim Berisha, sikur shumë kolegë të tij, është i pakënaqur me një sërë çështjesh.
Dallimi ndërmjet angazhimit dhe shpërblimit financiar për të është bërë shumë i madh.
Por, as një sërë benefitesh, si pagesat për shujta, e kompensimi për orët shtesë, nuk janë duke u kryer, duke rritur pakënaqësitë tek një prej profileve shëndetësore që vazhdimisht është duke ikur nga vendi.
Përparim Berisha-Infermier ka deklaruar se “Në vitin 2021/22 vazhdimisht kemi pas dyfishim të ikjes së numrit të infermierëve dhe besoj që ketë vit ka me pas ende më shumë pasi ketë vit ata kanë mundësi më shku vet dhe me pa se si janë kushtet atje”.
Duke parë që zgjidhja nuk po bëhet, të njëjtit kanë thirru një proteste për ditën e enjte.
Përveç pagesës për shujta e punës jashtë orarit, ata kërkojnë të paguhen edhe për punën gjatë festave e gjatë vikendeve.
Enlirat Duraku, nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK, ka deklaruar se “Muajin dhjetor mjekët kanë marr mbi 1 mijë euro shtes ndërsa infermierët janë përjashtu totalisht. Mos pagesa e punës gjatë vikendit, gjatë festave, secili infermier I kalon mbi 192 orë shtes brenda mujit dhe nuk është në rregull kështu”.
Për ketë paralajmërim, Drejtoria e SHSKUK-së thonë se nuk kanë asgjë në dorën e tyre.
SHSKUK thuhet se“Pagesa e gjithë mjekëve dhe profesionistëve shëndetësor është e përcaktuar me Ligjin e Pagave dhe pagesat nuk varen nga ShSKUK. Ne si ShSKUK e çmojmë dhe vlerësojmë maksimalisht punën e infermierëve të profileve të ndryshme dhe jemi pro çfarëdo mbështetjeje që do të përmirësojë mirëqenien e tyre”.
Ndonëse jo insitucionet përkatëse, gjatë së martës në seancë plenare një parti opozitare, pritet ta adresoj shqetësimin e infermierëve.
Shemsedin Dreshaj-AAK ka thënë “Shqetësimet e tyre janë të drejta, ndërsa vendimi i marr nga Qeveria për mos pagesë të orëve shtesë mendoj se është një potez i gabuar, ne e kemi nesër në interpelancë ministrin Hekuran Murati dhe do e ngris këtë çështje”.
Protesta e infermierëve pritet të mbahet gjatë së enjtes në ora 12:00, para objektit të drejtorisë së SHSKUK’së.