LajmeNdërkombëtare

Hungaria e thërret në takim ambasadorin rus për sulmet me dronë në Ukrainën perëndimore

Hungaria e ka thirrur në takim ambasadorin rus për shkak të një sulmi me dronë në pjesën perëndimore të Ukrainës, tha të mërkurën kryeministri Peter Magyar.

Rusia kreu një sulm me dronë ndaj Ukrainës më herët të mërkurën, duke e vënë në shënjestër infrastrukturën kritike dhe duke vrarë të paktën tre njerëz në pjesën perëndimore e duke e shtyrë Poloninë që të ngrinte në qiell aerplanë luftarakë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ambasadori rus është ftuar për të shkuar në Ministrinë e Jashtme të enjten dhe për t’u takuar me ministren Anita Orban, tha kryeministri hungarez gjatë një konference për gazetarë pas takimit të parë të kabinetit të ri qeveritar.

Ai shtoi se kryediplomatja Orban do ta dënojë sulmin ndaj Ukrainës në takimin me ambasadorin rus dhe do ta pyesë atë se kur planifikon Rusia t’i japë fund luftës me vendin fqinj, e cila ka nisur para më shumë se katër vjetëve.

Më herët të mërkurën, ministrja e Jashtme tha në një video të publikuar në rrjetin “Facebook” se Hungaria “i dënon thellësisht” sulmet ruse me dronë ndaj rajoneve etnike hungareze në pjesën perëndimore të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e çmoi si “porosi të rëndësishme” vendimin e Hungarisë për ta ftuar në takim ambasadorin rus.

“Moska përsëri ka dëshmuar se është kërcënim serioz, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë fqinjët e saj dhe për Evropën si tërësi” – shkroi Zelensky në rrjetin “Telegram”.

Back to top button