Avdullah Hoti ka folur edhe për pozitën e presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se është në përgjegjësinë e saj të garantojë kushtetutshmërinë e proceseve dhe institucioneve dhe që, sipas tij, ajo s’e ka bërë në disa raste.
“Ka pasur disa raste që ajo i ka ndihmuar këtyre proceseve. Ka 2-3 vjet që vendi është pa kryeprokuror…ka pasur 8 apo 10 ligje që janë shpallur antikushtetuese, të cilat ajo i dekretuar paraprakisht….Ajo ka kompetencën kushtetuese që kur është e qartë se një ligj i miratuar në Kuvend është jo kushtetues, ta kthej në rimiratim e rilexim. Nuk ka vepruar asnjëherë në këtë drejtim. E treta, që është shumë e rëndësishme, aktgjykimi i Gjykatës Supreme për një udhëzim administrativ të ministrit të Financave, i shpallur joligjor, me arsyetimin që ministri ka dhënë betimin si deputet i certifikuar nga KQZ dhe nuk ka kompetencë ligjore të qëndrojë në atë zyrë. Kjo nënkupton që ministrat e kryeministri, që rrinë në zyre e janë edhe deputetë dhe e kryejnë detyrën e tyre në mënyrë joligjore dhe jokushtetuese, ndërkaq presidentja s’e thotë asnjë fjalë. Ajo duhet të dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese për interpretim të plotë, shteti duhet të funksionojë”, ka thënë Hoti në RTK.
“Ka dështuar tash e 4 vjet në kryerjen e detyrës së saj. Ajo asnjëherë nuk ka treguar distancë nga zhvillimet e përditshme politike, sepse ky është roli i presidentes. Ajo i subordinohet të parit të qeverisë me të gjitha veprimet që ka ndërmarrë”, ka thënë deputeti i LDK-së.
Hoti ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se në mënyrë të qëllimshme ka krijuar kaos institucional. Ai ka thënë se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të mbarojë më 18 shtator, dhe nuk dihet se cili do të jetë veprimi i radhës i Gjykatës Kushtetuese në këtë mes, veçanërisht pas kërkesës që ka dorëzuar Lista Serbe.