Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës ishin pajtuar dhe kishin mbledhur votat që ish-veprimtari i njohur politik dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi, të bëhet president, por që nuk ishte mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje e kreu i saj, Albin Kurti.
Haziri tha se Demaçi ishte refuzuar në “mënyrën më të ftohtë e mizore të mundshme”.
“Ai nuk ka pranu me mbështet Adem Demaçin për president në vitin 2005, kur edhe LDK’ja, edhe PDK’ja ia kanë dhanë votën. Z. Adem Demaçi ne ia kemi mbledh votat, ka dëshmitarë të gjallë, që mundesh me konfirmu. Ne i kemi thanë baci Adem, Kosova ka nevojë për një president, i cili në këtë fazë mundet me ndihmu, por mbi të gjitha na dojmë me respektu dhe me falenderu 2 milionë jetë, për rezistencën që e ke bo. Edhe kemi thanë, nëse duhet edhe Vetëvendosja me të mbështet sepse nuk i mbërrijmë krejt votat vetë. Edhe u shku në tavolinë ua ka lypë, edhe i kanë thanë në mënyrën ma të ftohtë dhe më mizore të mundshme, “JO” nuk ta japim votën për president sepse ata që të kanë propozu kanë qëllim”, ka deklaruar Haziri në Klan Kosova.
Kurti gjatë kohës së luftës, kishte punuar në zyrën e UÇK-së që e drejtonte Demaçi në Prishtinë.
Demaçi në një intervistë për media, kishte treguar se raporti me Kurtin ishte ftohur kur vetë kishte marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe Kurti e kishte parë të arsyeshme që të mos e bënte të njëjtën gjë.
Demaçi kishte deklaruar se pjesëmarrja në shpalljen e pavarësisë ishte kthesa më e madhe që Kurti duhej ta bënte dhe ta kuptonte që s’ishte punë e vogël ajo që po ndodhte, meqë në të vërtetë po shkelej Rezoluta 1244.
“Disa veprime që i bën nuk ishin në atë mendimin tim. Kthesa më e madhe që ne jemi ftoh mes veti ka qenë kur unë kam shkuar në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe Albini e ka pa të arsyeshme që të mos vij. Ajo ishte kthesa e madhe që duhej ta bënte, duhej ta kuptonte se ajo nuk ishte punë e vogël, ishte e rëndësisë shumë të madhe. Sepse ishte shkelje me të vërtetë e Rezolutës 1244”, kishte thënë Demaçi