Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka thënë se mbeten shqetësuese sulmet që i bëhen gazetarëve dhe mediave.
Sipas tij, në Kosovë ka tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre, shkruan GazetaDemos.
“Shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen gazetarëve e mediave dhe tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre! Jemi në krah të tyre, në mbrojtje e respekt të fjalës së lirë, si vlerë e panegociueshme e demokracisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, ai ka thënë se duhet reflektuar mbi rëndësinë e lirisë së fjalës, lirisë së mendimit e të medias.
“Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë!”, ka shtuar tutje i pari i AAK-së.