Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka alarmuar për një rënie të re të Kosovës në renditjen e re të Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.
AGK ka bërë me dije se nga vendi i 75 ku kishte zbritur vitin e kaluar, kjo organizatë për vitin 2025 e renditë Kosovën në vendin e 99, nga gjithsej 180 shtete, për të cilat e bën matjen.
AGK e ka parë këtë “si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, Vetëvendosje”
“Raporti vë në pah se gazetarët në Kosovë janë shënjestër e vazhdueshme e sulmeve politike dhe quhen pa të drejtë “bashkëpunëtorë të armikut”. Gjithashtu, kritikohet miratimi i Ligjit për KPM-në që e politizonte këtë organ të pavarur”, thuhet në reagim.