FSK në Berlin: Trajnim për lidershipin modern dhe avancimin ushtarak
Zyrtarë dhe oficerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së zhvilluan një vizitë njëjavore në Berlin, ku morën pjesë në seminarin “Sfidat e lidershipit të shekullit 21”.
Gjatë qëndrimit, delegacioni u përfshi në ligjërata dhe takime pune mbi kulturën e veteranëve në Gjermani, filozofinë bashkëkohore të lidershipit dhe praktikat moderne të udhëheqjes ushtarake.
Programi përfshiu takime në Zyrën e Komisionerit të Forcave të Armatosura, Komisionin e Mbrojtjes, Qendrën e Karrierës së Bundeswehr-it dhe Fondacionin Kërkimor për Shkencë dhe Politikë.
Delegacioni u prit nga nënkolonel Friedrich von Bismark dhe oficerë të lartë gjermanë, me të cilët u shkëmbyen përvoja mbi menaxhimin e burimeve njerëzore, lidershipin ushtarak dhe përkujdesjen ndaj veteranëve.
Në Ambasadën e Kosovës në Berlin u mbajt ceremonia e diplomimit të katër kadetëve të FSK-së që përfunduan studimet në Gjermani, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve profesionale të forcës.
Vizita synon forcimin e bashkëpunimit Kosovë–Gjermani në fushën e mbrojtjes dhe avancimin profesional të kuadrove të FSK-së.