LajmeLufta në Iran

“Fakte në detaje”, Edi Rama del me sqarim të plotë për Zvërnecin dhe Sazanin, investimin që pritet të ndodhë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi ndaj debateve dhe akuzave që kanë shoqëruar projektet e investimeve në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se asnjë pjesë e territorit shqiptar nuk është nxjerrë në shitje dhe se të gjitha procedurat po zhvillohen në përputhje me ligjin.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Rama sqaroi se Ishulli i Sazanit mbetet pronë e shtetit shqiptar dhe nuk është menduar asnjëherë për shitje.

Sipas tij, modeli i parashikuar për zhvillimin e ishullit është ai i partneritetit me investitorët, ku shteti do të mbajë pjesëmarrje në projekt, ndërsa negociatat vijojnë dhe ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.

Lidhur me projektin në Zvërnec, kryeministri theksoi se toka ku parashikohet investimi është pronë private e regjistruar prej vitesh në kadastër dhe se transaksionet e kryera janë marrëdhënie mes subjekteve private. Ai shtoi se pretendimet pronësore të palëve të tjera po shqyrtohen nga gjykatat, ndërsa organet e drejtësisë kanë vepruar në mënyrë të pavarur për mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtës së pronës.

Rama bëri të ditur se projekti në Zvërnec nuk ka marrë ende leje ndërtimi dhe se ndodhet në fazën e përgatitjes së dokumentacionit teknik. Ai nënvizoi se investitorët janë detyruar t’i nënshtrohen një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis, përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare mbi zbatimin e projektit.

Kryeministri hodhi poshtë pretendimet se është ndryshuar statusi i zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimit, duke theksuar se zona Pishë Poro-Nartë vijon të mbetet “Peizazh i Mbrojtur” dhe se legjislacioni shqiptar parashikon zhvillime të kontrolluara në zona të tilla, në përputhje me standardet europiane.

Në përfundim, Rama akuzoi kritikët për përhapje dezinformimi dhe deklaroi se institucionet shqiptare kanë vepruar me profesionalizëm dhe transparencë. Ai u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë investimet strategjike, duke respektuar ligjin, mjedisin dhe interesin publik

Artikuj të ngjashëm

Back to top button