Enver Dugolli: Lëvizja Vetëvendosje nuk ka insistuar që posti i presidentit t’i takojë asaj
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli në Politiko tha se subjekti i tij politik nuk ka insistuar që posti i presidentit t’i takojë domosdoshmërisht kësaj partie.
Sipas Dugollit, që nga fillimi i procesit, Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë qenë të angazhuar për të gjetur një zgjidhje konsensuale, përmes takimeve të njëpasnjëshme dhe komunikimeve të vazhdueshme me partitë opozitare.
Ai theksoi se qëllimi kryesor ka qenë arritja e një marrëveshjeje të përbashkët për një figurë të pranueshme për të gjitha palët, dhe jo imponimi i një kandidati partiak.
“Ne kemi qenë të interesuar vazhdimisht për një zgjidhje konsensuale. Nuk kemi dalë me asnjë emër deri një ditë para skadimit të afatit,” tha Dugolli.
Ai shtoi se vetëm më 4 mars, një ditë para afatit përfundimtar, Vetëvendosje ka propozuar emrat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Kollçakut si kandidatë për postin e presidentit.