Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka u është falënderues futbollistëve nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut që vendosën ndër vite t’i bashkoheshin Kombëtares kuqezi.
Për futbollistët e diasporës, kreu i futbollit shqiptar thotë se janë vlerë e shtuar, ndërsa insiston se nuk e ka ndërmend ta ndryshojë këtë politikë, duke ua lënë dyert e hapura të gjithë futbollistëve shqiptarë që duan të luajnë për Shqipërinë.
Në ditët e fundit u çua pluhur i madh pas vendimit të kapitenit të Kosovës U-21, Etnik Brruti për t’iu bashkuar Kombëtares shqiptare.
Por, Duka e përsëriti qëndrimin e tij duke i lënë dyert e hapura për të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh se prej nga vijnë.
“Si ka ndikuar përfaqësimi i lojtarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, fakti që ata janë bashkuar me Kombëtaren në Euro 2016?
– Kanë qenë gjithmonë vlerë e shtuar për ne, të gjithë futbollistët e diasporës. Kanë dhënë një kontribut të madh për Kombëtaren. Ne kemi hapur dyert e Kombëtares më herët se 2015, por pas 2015 në një numër më të madh. Ka pasur futbollistë me kualitet. Ka ndikuar pozitivisht dhe vijon të ndikojë pozitivisht. Ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë këtë politikë dhe të mbyllim derën për çdo shqiptar që dëshiron të luajë për Kombëtaren shqiptare. Ka shpesh diskutime, kritika, por ne do ta vazhdojmë këtë lloj politike, me derë të hapur për këdo që dëshiron të luajë dhe pa dyshim që e meriton të luajë”, deklaroi Duka në “Nazarko Podcast”.