Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se sot s’është lajm ajo se çfarë tha Ministri Hajrullah Çeku për LDK-në, por shtypja e gazetarëve në Radio Televizionin Publik të Kosovës dhe akuzat e bëra nga anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, ndaj mediave dhe gazetarëve.
Në një postim të bërë në Facebook, Bajrami e LDK-së ka thënë se duhet marrë me këtë pushtet që ka instaluar mekanizma shtypës ndaj gazetarëve, e që sipas saj këtë po tentojnë ta bëjnë në RTK e edhe në mediet private.
Ajo tutje shkruan se organet e drejtësisë duhet të merren seriozisht me atë çfarë ndodhë në RTK.
“Sot, nuk është lajmi kryesor se çfarë thotë Çeku i Vetëvendosjes për LDK-në, por se si Vetëvendosje po shtyp gazetarët në Televizionin Publik, se si përfaqësuesi i Vetëvendosjes i akuzon gazetarët se po punojnë për “media kriminale, të vrasësve me pagesë”. Sot, dhe çdo ditë duhet të merrmi me këta pushtetarë që kanë instaluar mekanizma shtypës ndaj gazetarëve dhe se si partia në pushtet, përmes veglave partiake, po i ndëshkon dhe disiplinon gazetarët e RTK-së, e po provon të njëjtën gjë të bëj edhe me mediet private”, ka shkrua Bajrami në Facebook.
“RTK-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe nuk është televizion i partisë në pushtet. Ka ardhur koha që organet e drejtësisë të merren seriozisht me dhunuesit e RTK-së dhe me dhunuesit e gazetarëve profesionistë që punojnë aty”.
Sipas deputetes së LDK-së, partia në pushtet kanë frike për llogaridhënie për krim, korrupsion e subvencionet partike e familjare, dhe se sipas saj, VV-ja mendon se shpëtimin e kanë duke qëndruar në pushtet, ashtu siç po bën Kurti që s’po shkon në Prokurori për të dëshmuar, thotë deputetja e LDK-së.
“Shqetësimi më i madh i pushtetarëve nuk është kush e mban fjalën e kush jo, sepse në fund secili jepë përgjegjësi për fjalën e dhënë, këta e kanë një frikë tjetër është frika për llogaridhënie për krimin, korrupsionin dhe subvencionet partiake e familjare madje edhe në Ministrinë e Kulturës. Këta mendojnë se të vetmin shpetim e kanë duke qëndruar në pushtet, kështu mendojnë t’i shpëtojnë drejtësisë, njëjtë siç po bën prej kohësh shefi i tyre, duke mos dhënë as deklaratë si dëshmitar në Prokurori”, shkruan Bajrami e LDK-së.
Sot gjatë ditës u raportua se gazetarët Jehona Zhitia, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, janë dënuar nga drejtori i TV-së në RTK, Rilind Gërvall pasi nuk transmetuan një koronikë për Kurtin në edicionin e lajmeve.
Në anën tjetër, mesditën e sotme, anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi ditën e sotme në QNR në Prishtinë ka sulmuar rëndë mediat.
“Jeni media kriminale të vrasësve me pagesë”, ishte deklarata e Kurteshit drejtuar një gazetare të gazetës Nacionale.