Infermierja shqiptare nga Bujanoci, por e cila vepron në institucione shëndetësore në njërën prej komunave të Kosovës, është ndaluar dje për tri orë, nga policia kufitare serbe.
Ajo mbi këtë zhvillim është deklaruar për klankosova.tv, duke shprehur shqetësim, se si autoritetet serbe e paralajmëruan se është nën përcjelljen e tyre.
”Më paralajmërua që je nën përcjellje çdo herë kur ta kalosh kufirin”, u shpreh Linda Fetahu-Krivanjeva.
”Diçka po ndodhë së fundmi. Unë e njëjta qytetare kam qenë në të njëjtat aktivitete gjithmonë. Pse tash ka këso ndalesa?”.
Ajo tha madje se rrugëtim të tillë për në Luginë, nuk kishte zhvilluar që nga 2024-ta.
”Unë kam udhëtuar vazhdimisht në atë rrugë. Nga nëntori i vitit të kaluar nuk kam qenë në Luginë. Por, kësaj radhe rruga ishte ndryshe. U ndalova, por më liruan pas intervistimit në pikën kufitare nga një hetues policor”.
”Në fakt jam veterane e luftës. Por, kam udhëtuar lirshëm nga Marrëveshja e Amnistisë e vitit 2002. Nga kjo marrëveshja shumë ish-luftëtar jetojnë aty”.
Ndër tjera, Linda Fetahu-Krivanjeva, foli edhe për qasjen e zyrtarëve policorë serbë, dhe se çfarë u interesonte për të.
”Jo, në sjellje kanë qenë korrekte. Vetëm se kanë pasur pyetje se ku kam shërbyer në luftë 1998-1999 dhe ku kam qenë gjatë konfliktit në Luginë të Preshevës në 2001. Kam përshtypjen se ishin mirë të informuar”, deklaroi ajo për klankosova.tv.
Ish-luftëtarja megjithatë shprehet se aktualisht Kosova, gjendet politikisht në një pozicion të dobët.
”Për mendimin tim, sa më e dobët Kosova politikisht, edhe me ne bëjnë hajgare, si ju teket jashtë kufijve. Ka pasur më herët edhe më shumë reagime nacionale dhe nuk jemi ndaluar, sot 2025-ta, na kufizojnë mendimin dhe lëvizjen”, tha ajo.
Fetahu –Krivanjeva, deklaroi se në kufi ishte bashkë me familjen e saj kur edhe u ndalua nga policia serbe.
Mbi ndalesën e saj, reagoi edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu.
”Linda Fetahu-Krivanjeva, bija krenare e vendit tonë, infermierja që dikur u kujdes për ushtarët e lirisë dhe gjithmonë ka ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, u ndalua për tri orë në kufi nga policia serbe”, ka shkruar Lutfiu në Facebook.
Sipas tij, kjo është një formë frikësimi dhe paralajmëron se ndalesa të tilla mund të vazhdojnë.