Lionel Messi dhe Sergio Ramos njihen si armiq të vjetër, që nga periudha kur i pari luante në Barcelonë dhe i dyti në Real Madrid.
Por, dyshja u bë bashkë verën e kaluar në Paris Saint-Germain, ndërsa ishte e pazakontë për të gjithë t’i shihnin duke u përqafuar dhe duke ushtruar së bashku sulmuesi argjentinas dhe mbrojtësi spanjoll.
Sidoqoftë, duket se armiqësia e tyre nuk ka marrë fund, përkundër faktit se tash luajnë në të njëjtin ekip.
Ramos nuk e ka kursyer në stërvitje shtatë herë fituesin e Topit të Artë, duke e bërë një ndërhyrje të palejuar ndaj tij.
Sidoqoftë, sulmuesi argjentinas e vazhdoi aksionin dhe shënoi gol, në njërën prej stërvitjeve të PSG-së.
Megjithatë, siç shihet në videon e plotë të publikuar së fundmi, përfaqësuesi argjentinas nuk e ka pritur aspak mirë ndërhyrjen e shokut të skuadrës, me të cilin më pas e pati një zënkë, më saktësisht një fjalosje.
Messi i mllefosur kërkoi sqarim nga Ramos dhe i kërkoi atij të ketë kujdes për të mos e lënduar, shkruan “Gazeta Express”.
Por, ata më pas u ndanë dhe ndeshja miqësore në stërvitje vazhdoi.
Messi dhe Ramos e patën një sezon dëshpërues, ndërsa shpresojnë të ngritën në edicionin e dytë në fanellën e PSG-së.