Lajme

Çitaku për emërimin e zëvendësministrave nga Kurti: Mentalitet abuzues ndaj shtetit

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar vendimet e Albin Kurtit si kryeministër në detyrë. Ajo ka thënë se Kurti po vazhdon të emërojë individë në pozita edhe pse Kuvendi është shpërndarë dhe Qeveria është në detyrë. 

Çitaku ka theksuar se Kurti po abuzon me shtetin dhe se po sillet sikur institucionet “janë pronë private”. 

“Në universin e Albin Kurtit, Kuvendi nuk është shpërndarë dhe Qeveria nuk është në detyrë. Njeriu vazhdon të emërojë zëvendësministra, të hapë konkurse për pozita të larta në shërbimin civil, të bëjë emërime e shkarkime gjithandej, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ky nuk është funksionim institucional. Është mentalitet abuzues ndaj shtetit”, ka shkruar Çitaku në Facebook. 

Edhe pse është në detyrë, kryeministri Albin Kurti ka vazhduar të shtojë zëvendësministra në kabinetin e tij. Të premten, në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit, është bërë e ditur se Kurti ka emëruar tre zëvendësministra – Ali Dulën në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë për Zhvillim Rajonal, Agon Batushën në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Hysni Mehanin në Ministrinë e Financave.

Kosova do të shkojë edhe në një palë zgjedhje parlamentare më 7 qershor, pasi partitë nuk arritën ta zgjidhnin presidentin.

Back to top button