Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, i cili garoi edhe në zgjedhjet e shkurtit, ka njoftuar se nuk është më pjesë e partisë më të madhe opozitare, raporton GazetaDemos.
I njëjti ka kritikuar ashpër të parin e PDK-së, Memli Krasniqin, duke e akuzuar se po ia bënë argatin kreut të partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Bllokuesi është Albin Kurti dhe jo partitë opozitare. Çfarë zori ke ti tash me shku me ia bë argatin, me i bë favor që ai të duket kinse njëfarë tipi që është konstruktiv, sepse po e fton njëfarë “dialogu”? Ti po ia ligjitimon këtë lojë. Ky është një debakël dhe një autogol i jashtëzakonshëm për Memli Kransiqin”, tha ai.
I pyetur se pse ka mundur të ndodh përgjigja pozitive ndaj ftesës së Kurtit, Kastrati ngriti disa hipoteza.
“Motivet duket të jenë personale, dhe çfarë motive personale mund të jenë, atëherë mund të ngrisim vetëm hipoteza, vetëm pyetje. A ka diçka që Albin Kurti e mban lidhur Memli Krasniqin, se saherë të ka ai nevojë që të shpërlahet e të del si viktimë para publikut, t’i vjen ky edhe t’i bëjë argantin sa për një foto”, tha Kastrati për Klanin.