Guvernatori i Bankës Qendrore Ahmet Ismaili, në Bruksel i ka takuar presidenten e Këshillit të Byrove Sandra Schwarz dhe drejtoreshën menaxhuese Greet Flore.
Pjesë e delegacionit ishin edhe përfaqësuesit nga Byroja Kosovare e Sigurimit dhe zyrtarë të Ambasadës së Kosovës atje.
Ismaili i informoi për zhvillimet e fundit dhe progresin në sektorin financiar, me theks në industrinë e sigurimeve në Republikën e Kosovës.
“Gjithashtu, Guvernatori Ismaili argumentoi nevojën dhe pengesat që mungesa e Kartonit të Gjelbër shkakton për bizneset, qytetarët e vendit tonë dhe diasporën lidhur me lëvizjen e lirë. Për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, u diskutuan mënyrat dhe aranzhmanet e mundshme për adresimin e kësaj çështjeje”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Drejtuesit e lartë të Këshillit të Byrove, falënderuan delegacionin e Republikës së Kosovës për vizitën dhe u shprehën të gatshëm të shqyrtojnë mundësitë dhe aranzhmanet potenciale alternative për një zgjidhje të kësaj çështjeje.
Megjithatë, ata rikujtuan se kufizimet ligjore që vijnë nga Statuti i Këshillit të Byrove, përbëjnë sfidën kryesore që kërkon kohë për adresim.
“Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për këtë qëllim, mbështetjen nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.